“Tenxherja me presion” ende nuk ka shpërthyer, avokatja: Rama po gabon shumë rëndë me studentët

E ftuar në emisionin “Natë me Xhaxhiun” avokatja Enida Bozheku ka folur rreth protestës së studentëve që vazhdon tashmë prej dy javësh për plotësimin e kërkesave të tyre.
Bozheku ka thënë se protestën e studentëve e shikon si një “tenxhere me presion” që akoma nuk ka shpërthyer, duke shtuar se ajo do dëshironte që mllefin ndaj keqqeverisjes njerëzit të mos e shprehin në ‘Facebook’ por në sheshe.
“Protesta e studentëve është një tenxhere me presion por që nu ka arritur pikën e vlimit”, u shpreh Bozheku.
E pyetur nga Xhaxhiu se përse ata nuk pranojnë dialog me kryeministrin Rama, ajo tha se studentët kanë të drejtë pasi tashmë jemi lodhur me demagogji pas 6 vitesh.
“Kam parë frymë të bashkuar studentësh, pse thonë jo? Po kanë të drejtë, se ne kemi 6 vjet që dëgjojmë demagogji të shprehur me art që edhe Aristoreli do e kishte zili. Çfarë ka për të dialoguar, kërkesat janë aty, bëhet, s’bëhet”, u shpreh avokatja.
Bozheku tha gjithashtu se studentët na kanë mësuar si të protestojmë.
“Mendoj që kanë dhënë një qasje ndryshe e asaj që është protesta e një vendi që aspiron të jetë europian. Ata u bashkuan dhe protstuan për diçka të drejtë”, u shpreh ajo.
Në lidhje me qasjen e kryeministrit Rama ndaj tyre, avokatja theksoi se është totalisht e gabuar pasi ai po i përçmon dhe fyen ata.
“Kjo qasje, kjo lloj fyerje që u bëhet studentëve, të abuzosh në këtë lloj mënyre, me këtë ironi, sikur këta janë dele, kur këto janë pjesa më e informuar e shoqërisë. Zoti Rama gabon jashtëzakonisht shumë në këtë qasje arrogantë dhe përçmuese ndaj tyre”, deklaroi Enida Bozheku.
Duke para dhe veprimin e opozitës ditën e sotme që shkoi në Kuvend, ajo tha se opozita nëse do i donte të mirën popullit do duhej të digjte mandatet. “Nëse i do të mirën popullit, digji mandatet”, u shpreh ndër të tjera ajo.

ENIDA bOZHEKU