Studentët marshojnë në Bulevard, gjimnazistët e Tiranës bojkotojnë mësimin dhe dalin në protestë

Studentët kanë nisur marshimin e tyre në Bulevard për t’u stacionuar para Ministrisë së Arsimit ku do të mblidhen në një protestë masive sot. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanËeb” se studentët e Politeknikut, Arteve dhe Gjeologji Minierave janë mbledhur tek Korpusi dhe më pas kanë parakaluar në Bulevard para kryeministrisë.
Ata e kanë nisur me këndimin e Himnit Kombëtar dhe më pas me parulla për plotësimin e kërkesave të tyre, kryesisht uljen e tarifave. Studentët e gjeologji minierave janë me kaska të verdha, ndërsa studentët e arteve kanë marrë veglat muzikore.
Ndërkohë ka nisur marshimi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve që të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.
Ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit që studentët i kanë lënë qeverisë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre. Në skadim të këtij afati, kanë paralajmëruar përshkallëzim, deri në grevë urie.

Gjimnazet e Tiranës bojkotojnë mësimin, maturantët me studentët
Gjimnazistët e Tiranës i bashkohen protestës së studentëve. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm ata janë mbledhur fillimisht në shkollat e tyre dhe më pas për të marshuar bashkë me studentët drejt Ministrisë së Arsimit.
Gjimnazistët, kryesisht maturantët kanë bojkotuar mësimin sot për të protestuar bashkë me studentët për plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria. Thirrjet që gjimnazistët, nesër studentë t’i bashkohen protestës janë artikuluar prej ditësh, ndërsa ishte paralajmëruar e marta si pika kulmore e Lëvizjes Studentore të nisur prej disa ditësh.
Gjimnazi “Sami Frashëri”, “Petro Nini”, “Shkolla profesionale e Ekonomikut” dhe “Qemal Stafa” janë disa prej gjimnazeve që marrin pjesë sot në protestë. Po kështu studentët iu kanë bërë thirrje edhe pedagogëve t’i bashkohen kësaj proteste.

Studentët e Bujqësorit bllokojnë hyrjen e Tiranës
Ora 09:38/ Studentët e Universitetit Bujqësor në Kamzë kanë bllokuar rrugën tek mbikalimi. Për disa minuta ata kanë përsëritur thirrjet për një arsim më të mirë.
Studentët e Shkodrës mbushin rrugët
Ora 9:30- Ka nisur edhe në Shkodër protesta e studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Studentët kanë nisur të mblidhen bashkë për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
Ata kanë ankesa të shumta për cilësinë e mësimit por edhe nga kërkesat minimale si për kushtet dhe literaturën që iu mungon. Me parulla të shumta në duar ata i janë bashkuar lëvizjes së madhe studentore në të gjithë vendin.

Gjimnazistë nga gjimnazi ‘Partizani’ i bashkohen protestës
09:19- Gjimnazistë nga gjimnazi ‘Partizani’ në kryeqytet i janë bashkuar protestës së studentëve. Me thirrjet “Studentët kanë të drejtë”, ata janë bashkuar te universiteti Politeknik, për të nisur më pas marshimin drejt MASR. Gjimnazistët në protestë u shprehën se disa nuk u lejuan të marrin pjesë nga mësues e drejtoresha e shkollës. “Kemi patur edhe forma presioni, na thanë se do vihen mungesat. Do jemi deri në fund të protestës”, tha një prej tyre.
Protesta e studentëve në Vlorë dhe Gjirokastër
09:15- Studentët kanë nisur protestën edhe në qytetin e Vlorës. Gazetari, Enrik Mehmeti raporton për “BalkanËeb” se janë mbledhur mbi 100 studentë të cilët janë vendosur në hyrje të universitetit “Ismail Qemali”.
Ndërkohë studentët kanë arritur të bojkotojnë të gjithë mësimet e parashikuar në oraret në një pjesë të madhe të fakulteteve.
“Ka bojkot të provimeve, ndërsa ata shprehen se do jenë në protestën e tyre. Protesta është përqendruar pranë rektoratit. Kjo është dita e tretë në Vlorë, por që do të vijojë si në Tiranë. Nxënësit nuk janë bashkuar me studentët”, raportoi gazetari, Enrik Mehmeti për “BalkanËeb”.
Ndërkohë edhe në Gjirokastër studentët janë tubuar para Universitetit “Eqrem Çabej”, të cilët kanë marrë sot leje nga autoritete vendore. Protesta në këtë qytet vijon për të tretën ditë radhazi.
“Kanë patur edhe kërcënime për studentët për të mos marrë pjesë në protestë. Dita e sotme është lajmëruar të jetë me përmasa më të mëdha. Ditën e sotme pritet të jetë më masive. Sot është marrë leje nga policia. I kanë lejuar, por me një orar të reduktuar. Policia ka qenë e pranishme rreth ambienteve ku po mbahet protesta. Ka nisur protesta, por pritet të rritet numri i tyre”, raportoi gazetarja, Brikena Metaj.

Studentët e Elbasanit
09:12- Dhjetëra gjimnazistë të Elbasanit i janë përgjigjur thirrjes së studentëve për t’iu bashkuar protestës se tyre.Përpara hyrjes së gjimnazeve në orën 08.00 qëndronin një numër i konsiderueshëm nxënësish, të cilët kanë refuzuar të marrin pjesë në mësim.
Ndërkohë mësuesit u kanë bërë thirrje të mos bojkotojnë mësimin maturantëve. Disa prej tyre janë futur në mësim, ndërsa një pjesë tjetër është nisur drejt sheshit kryesor të qytetit.
Gazetari Fatmir Popja tha për “BalkanËeb se studentët janë nisur nga Elbasani me mjete private për t’iu bashkuar protestës, e cila vijon për 7 ditë para ministrisë së Arsimit. “Kanë vendosur flamurin Kombëtar përpara Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Studentët janë nisur në grupe të vogla me makina private, por edhe me mjete të transportit drejt Tiranës”, theksoi Popja.
Me pankarta të ndryshme ”Koha e maskarenjve” si dhe “Dinjiteti nuk matet me pozitat që zotëron, por me vetëdijen që i meriton”, studentët e Elbasanit vijojnë të qëndrojnë stoikë në kërkesat e tyre.
Studentët e Politeknikut publikojnë fotot: Vetting për pedagogët
09:10- Studentët e Universitetit Politeknik të mbledhur para sheshit Nënë Tereza nga ku pritet të nisë më pas marshimi drejt Ministrisë së Arsimit, kanë publikuar sot me foto edhe emrat e pedagogëve të cilët sipas tyre duhet ti nënshtrohen vetingut.
Në foton e publikuar në kolonat e universitetit, studentët kërkojnë veting për pedagogët: Boris Cfarku, Ylli Gjanci, Enkelejd Caca, Bujar Dida, Bojken Shehu, Anila Peposhi, Endri Raco, Anita Caushi, Brikena Xhaja, Margarita Gjonaj, si edhe Xhameli Pejtamalli.