Protestë edhe në Krishtlindje/ O zoti kryemashtrues, fundi do t’ju vijë nga Unaza e Re!

Banorët e Unazës së Re kanë dalë për të 52-tën ditë radhazi në protestë, ku tashmë nuk kërkojnë vetëm dëmshpërblim në vlerë 100% të banesave dhe bizneseve të prekura nga projekti i “Unazës së Madhe”, por anulimin e plotë të këtij projekti.
Ata ashtu siç kanë bërë prej 52 ditësh, sërish kanë dalë në rrugë duke bllokuar qarkullimin e automjeteve, ndërsa bëjnë thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, kreut të ARRSH-së Afrim Qendro apo dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës Damian Gjiknuri.
“Nuk kërkojmë punë nga qeveria jotë e korruptuar, vetëm o zotëri na lër rehat në shtëpitë tona! Nuk do të na përçani dot! Këtë lagje e kanë lënë si në Kabul. O zoti kryetar mashtrues i bashkisë. Dihet se fundi do t’ju vijë nga Unaza e Re”, shprehen banorët.
Protestuesit kërcënojnë kompanitë që të mos guxojnë të afrohen për të prishur banesat e tyre, pasi do të përballen me zemërimin e qytetarëve të pafajshëm. Në përkrahje të tyre kanë shkuar edhe deputetë të opozitës.
Deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari nga protesta tha se kryeministri Edi Rama po grabit qindra miliona dollarë, ndërsa qytetarët nuk kanë mundësi të sigurojnë bukën e gojës.
“Solidaritet me banorët e Unazës së Re. Banorët e Unazës se Re janë në të drejtën e tyre.

Të gjithë duhet të sakrifikojmë në mbrojtje të së drejtës së çdo qytetari. U provua vjedhja e Edi Ramës tek Unaza e Re. Edi Rama mbush xhepat ndërkohë qytetarët zhyten në varfëri.
Edi Rama i bën dhuratë vetes së tij për Vitin e Ri qindra miliona euro, ndërsa qytetarët nuk kanë mundësi të sigurojnë bukën e gojës. Edi Rama grabiti studentët, ndërsa oligarkët ndajnë me Edi Ramën qindra miliona euro”, u shpreh Braimllari nga protesta.
Të pranishëm në protestë në mbështetje të tyre janë edhe deputetët e opozitës, si ata demokratë ashtu edhe nga LSI.

braimllari

48423159 10157055271969429 6560287920136126464 o