Partia Demokratike ka një luftë për ta fituar!

Erl KODRA

Partia Demokratike ka një luftë për ta fituar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përveç fitores, pavarësisht se kjo është një luftë për jetë a vdekje.
Jeta e shumicës së shqiptarëve është bërë matematikisht e pamundur. E di se ndonjëherë gjërat nuk mjafton të thuhen, por edhe të shpjegohen; domethënë, të thuhen në atë mënyrë që bashkëbiseduesi të kuptojë në thellësi situatën, arsyet, shkaqet, rrethanat, pse-të, dyshimet. E në fund ka shumë rëndësi alternativa, zgjidhja, rruga se si e qysh do të dilet nga qorrsokaku.
Shikoni çfarë ndodh ndërkohë që kryeministri Edi Rama “administron” paratë e shqiptarve sipas llogarive dhe interesave të tij. Por më parë, unë ju lutem të përpiqeni ta kuptoni ambientin politik, ekonomik dhe mediatik në të cilin ndodhet Shqipëria, përndryshe është gati e pamundur për të kuptuar të tërën.
Ndaj unë do të mundohem të tregoj të gjithë historinë ndryshe, të thjeshtëzuar. Për këtë do mundohem të kuptoj Edi Ramën dhe të tjerë, si dhe Lulzim Bashën e të tjerë. Për këtë do më duhet të bëj intepretime, vlerësime, të peshoj dhe analizoj; e në fund të arrij në ndonjë përfundim. Shpresoj t’ia qëlloj.
Për këtë arsye, në fillim do më duhet të shkruaj për Edi Ramën. Nëse unë arrij ta shpjegoj atë, me siguri unë do të kem arritur të identifikoj edhe mundësitë reale që kemi. Përndryshe, do të jetë e vështirë për ne të gjejmë rrugët e shpëtimit.
Duket qartë se Edi Rama ka ambicie të sëmurë. Me sa duket kjo është një gjë që vjen që prej rinisë së herëshme, atë botë kur Edi i ri ishte aq afër pushtetit, por jo i pushtetshëm; teksa shikonte fëmijët dhe baballarët e Bllokut që jetonin mes fuqisë politike dhe luksit të kohës. Babai i tij ishte një artist oborri që vetofrohej me dëshirë për t’i shërbyer terrorizimit shtetror me zellë dhe përkushtim; vepra e fundit “artistike” e të cilit ishte firma përfundimtare për ekzekutimin me varje në litarë për poetin Havzi Nela. Sikur Edi Rama të ishte paksa i ndjeshëm, i turpshëm ose i njerëzishëm, do të mjaftonte ky fakt, që kurrë në jetë të mos merrej me aktivitet publik, për më tepër të bëhej Kryeministri i Shqipërisë.

Në fakt kjo nuk është një psikoanalizë për Edi Ramën, por thjesht një skicim i shpejtë i faktit se ai është jo vetëm një njeri pa skrupuj moral, por sigurisht edhe një qenie e ndërlikuar dhe me vese të shumta njerëzore. Kjo nuk do të kishte asnjë rëndësi nëse ai nuk do të ishte sot njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, që po menaxhon të ardhmen ekonomike dhe të ardhmen politike të shqiptarve të Shqipërisë, dhe jo vetëm.
Tre janë armët që Edi Rama i ka përdorur dhe vazhdon t’i përdorë pa asnjë pikë mëshire:
1. Media
2. Paratë
3. Mafian dhe biznesin*)
Këto janë mjetet me të cilat Edi Rama ka grumbulluar pushtetin me okult që ka patur ndokush para tij në Historinë e Shqipërisë, sepse askush para tij nuk ka arritur të grumbullojë kaq shumë fuqi ekonomike dhe fuqi mediatike; të gjitha në funksion të pushtetit personal.
Shikojeni me vëmendje se çfarë vepre “madhështore” ka kryer Edi Rama: propagandë sistemike nëpërmjet një medie të blerë dhe mafioze, vjedhje masive e parave publike nëpërmjet mafias që bën edhe biznes, bashkëpunim sistemik me mafian e ndërtimit dhe trafikut të drogës, shkatërrimi dhe pushtimi i të gjitha institucioneve kushtetuese të Republikës.
I vetmi institucion kushtetues që akoma i reziston Edi Ramës është Partia Demokratike. Megjithse lufta është e egër, shumëplanëshe, frontale, me të gjitha mjetet, me të gjitha mënyrat, përsëri Partia Demokratike ia ka dalë jo vetëm të mbijetojë, por të mbetet e vetmja shpresë reale për shqiptarët.

Ju lutem përpiquni ta shikoni skenën ashtu siç e shoh unë; Edi Rama zotëron një makineri të frikshme propagande me të gjitha televizionet kryesore të vendit nën urdhërat e tij, një ushtri e tërë mercenarësh mediatik të veshur me kostume gazetarësh, një “shoqëri civile” e përgatitur dhe e strukturuar prej vitesh nga fondet bujare të “shoqërisë së hapur” Soros, miliona euro të grumbulluara përgjatë 11 viteve në krye të Bashkisë së Tiranës; të gjitha në funksion të betejës finale për të pushtuar përfundimisht ekonominë shqiptare.
Synimi është i qartë, objektivi po ashtu; Partia Demokratike duhet të defaktorizohet, të dobësohet, të zvogëlohet, të delegjitimizohet, të goditet pa mëshirë, e gjithë kjo krahas punëve të tjera, shkatërrimit të institucioneve të tjera kushtetuese, duke përdorë çdo mjet, individ, kriminel, palaço, hajdut, ish sigurims, mafioz biznesmen, njerëz të dobët, naivë, budallenjë, servilë, hallexhinjë; pa përjashtuar asgjë dhe askënd, me parimin e thjesht; shkatërrimi i Partisë Demokratike.
Ju lutem shikoni me vëmendje personazhet që sulmojnë Partinë Demokratike politikisht, mediatikisht, paturpësisht, drejtë për drejtë, përballë dhe anash, pas krahëve dhe brenda rradhëve të saj. Merreni secilin emër të përveçëm ose në grup, ata që hiqen si të djathtë liberalë, që u digjet shpirti për Partinë Demokratike dhe fatet e vendit. A duhet të përmend emra?
Edi Rama ka patur një sukses jo të vogël në rekrutimin e disa eksponentëve të Partisë Demokratike; ish drejtorë dhe zyrtarë të lartë, që kanë bërë emër publik dhe pasuri private në kohën e saj. Ata janë kryesisht tip Gjergj Bojaxhiu dhe Ben Blushi që krijojnë parti politike të përkohëshme, të paguara mjaftueshëm dhe të programuar për t’u përdorur përsëri në raste krizash emergjence.

Të tillë pritet të përdoren edhe vitin që vjen për zgjedhjet lokale, që me gjasë do të zhvillohen në një ditë me zgjedhjet e përgjithshme.
Ngjashëm ka boll të tjerë, të vetofruar, të inatosur dhe të mllefosur, por edhe njerëz pa pikë integriteti që kanë zbuluar njeriun që shet dhe blenë shërbimet e kurvërisë profesionale e morale. Ata janë të shpërndarë në media, portale, televizione, gazeta dhe shoqëri civile. Gjenden lehtësisht gjithandej, sepse sa herë që Partia Demokratike thotë të vërtetën e madhe për Edi Ramën, ata nuk harrojnë të hidhen në sulm kundër saj. Menjëherë, me komandën e Edi Ramës.
Shikojeni se çfarë po ndodh; shumica e shqiptarve janë kundër Edi Ramës sepse pikërisht Edi Rama ua shkatërroi jetën dhe të ardhmen; ndërkohë, të gjitha mediat njëzëri, si me magji përdorin çdo truk mediatik për të devijuar shënjestrën e protestuesve, për ta paraqitur atë si protestë apolitike. Thua se Edi Rama është njeri apolitik? E kuptoni lojën?
Protestë antisistem pa e prekur sistemin?! Po kush janë përfaqësuesit e kësaj proteste antisistem dhe kush është sistemi? Kush është “Trump-i anti establishment” që do t’i nxjerri fitues në lojën me Edi Ramën?! A nuk më thoni një emër, ju lutem?! Çfarë gjëme dhe poshtërsie!
Në fakt, e vetmja mundësi reale politike është Partia Demokratike dhe Lulzim Basha. Partia Demokratike, megjithse e sulmuar nga të katër anët, akoma është i vetmi institucion kushtetues i pavarur nga vullneti i Edi Ramës. Ajo është e vetmja forcë politike shqiptare që mundet t’i bëjë ballë luftës dhe poshtërsisë së tij, pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme ku ndodhet vendi.
Partia Demokratike është e vetmja forcë që është shprehur prej kohësh, me program dhe lëvizje politike për luftë reale anti establishment, për ndarjen e politikës nga mafia; dhe luftën e pakompromis kundër saj. A nuk është Ligji për Dekriminalizimin prova e madhe?

Cila prej të vertetave të mëdha që ka thënë Partia Demokratike prej 5 vitesh nuk u provua? Mund ta thoni një të vetme, qoftë edhe një për be, që nuk u konfirmua saktësisht, 100 %, ashtu siç e zbuloi dhe denoncoi ajo?
Çfarë mori në përgjigje Partia Demokratike?
Sulme dhe përqeshje nga Edi Rama, sulme të neveritshme edhe nga ndihmësit e tij, tashmë të dekonspiruar plotësisht për rolin dhe misionin e tyre, padyshim të neveritshëm.
***
Ndonjëherë të vertetën nuk mjafton ta dëgjosh, por edhe duhet ta pranosh atë.
Lulzim Basha në fjalën e tij gjatë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, mes të tjerash tha se “…duhet të ndryshojë struktura politike dhe ekonomike e vendit”.
Unë do ju lutesha të lexoni me vëmendje këto fjalë, sepse nuk po i thotë Gjergj Bojaxhi, Ben Blushi, Much Nano, Arjan Vasjari apo dhjetra qindra analistë dhe politologë që gëlojnë çdo ditë dhe natë nëpër mediat e Tiranës. Ata thonë çfarë u ka kërkuar padroni, ata janë në shërbim çdo orë, dhe nuk pyesin për hallet tuaja ose për dinjitetin e tyre të cilin e kanë humbur me kohë.
Ata nuk përfaqësojnë askënd, as familjet e tyre, madje as veten e tyre.
Fuqinë dhe forcën për ta bërë ndryshimin e strukturës politike dhe ekonomike të vendit e ka Partia Demokratike. Po e përsëris edhe njëherë; ajo është e vetmja forcë politike, i vetmi institucion kushtetues i mbijetuar nga lufta e ndyrë që ka bërë dhe po bën Edi Rama.
Partia Demokratike ka një luftë për ta fituar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përveç fitores, pavarësisht se kjo është një luftë për jetë a vdekje.
Është fati dhe misioni i saj pse Partia Demokratike u krijua; që në vitin 1990 ajo është e “dënuar të fitojë” mbi të keqen e kësaj toke.