“Nikolla është goditur nga punonjësit e Ujësjellësit Kamëz”, reagon Mziu: Kamza i është kthyer në makth Ramës

Edi Rama dhe anëtarët e organizatës “Rilindje” sa herë ndihen ngushtë, rreken të përmendin Kamzën. Kuptohet, kanë frikë, ndihen në panik dhe kërkojnë të aludojnë me faktin se veç Kamza proteston kundër tij. Por e vërteta është krejt ndryshe! Shqipëria sot është e gjitha në protestë. Janë qytetarët e Unazës së Re, të Shkodrës, Lezhës, Shkozës, janë minatorët, studentët etj., të gjithë nuk e duan më qeverinë dhe këtë Kryeministër. Kamza, Edi Ramës i del në ëndërr, i është kthyer në makth, nuk ka mundur kurrë t’i mashtrojë dhe të gjunjëzojë ata banorë dhe drejtuesit e zgjedhur prej tyre.
Fitorja në çdo palë zgjedhje në Kamëz për Ramën është një “mollë e ndalueme”, ai është dërrmuar nga vota e lirë, duke mos mundur që t’i bëjnë derman as paratë e krimit dhe korrupsionit, por as presioni i grupeve kriminale.
Të gjendur ngushtë nga revolta qytetare në disa drejtime, sikundër zari i tij, kampion i korrupsionit Damian Gjiknuri, akuzoi padrejtësisht banorët e Kamzës se na qenkan protestues tek Unaza e Re, sot të njëjtën gjë bëri edhe kreu i organizatës “Rilindje”, Rama, i cili duke mos ditur të japë asnjë zgjidhje për studentët, duke mos u pranuar prej tyre, sërish na nxori si shqetësim faktin se ministren më të paaftë dhe të korruptuar, Lindita Nikollën, na e paskan gjuajtur punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve Kamëz.
Jo! Kjo nuk është aspak e vërtetë. Punonjësit e Ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime, por edhe ata të Bashkisë Kamëz janë në krye të detyrave, madje edhe në gatishmëri për të qenë sa më pranë qytetarëve në këtë kohë shirash dhe prag festash, por dhe të gatshëm për ta rrëzuar një orë e më parë këtë qeveri kriminale dhe hakmarrëse për qytetarët e Kamzës.
Rama është verbuar. Nuk di çfarë flet më, e ka humbur toruan, duke qenë se ka protesta kudo dhe rezistente siç dinë ta bëjnë këtë banorët e Kamzës, Ramës i duken të gjithë nga Kamza.