Nga tutor prostitutash dhe i dënuar në Itali, Rama e emëroi kryekomisar dhe drejtues burgu

Kryekomisari Besnik Kaptelli, i cili mbante postin e shefit të Policisë së Burgut të Peqinit, është shkarkuar nga detyra disa ditë më parë për shkak se i është zbuluar një dënim që ka marrë në Itali për shfrytëzim prostitucioni.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se 47- vjeçari Kaptelli është dënuar me 5 vite burg nga një gjykatë në Torino, si tutor i shfrytëzimit të prostitucionit, vend ku ka jetuar për disa vite si emigrant, derisa vendosi që të kthehej në Shqipëri.
Burime për Fax News bëjnë me dije se ka qenë SHKB-ja ajo që ka hetuar rreth një muaj lidhur me figurën e Kaptellit, ku është zbuluar dhe dënimi i marrë në Itali.
Sikur të mos mjaftonte dënimi si tutor prostitutash, ka dyshime se Kaptelli pak kohë më parë i ka dhënë leje në këmbim të një ryshfeti një të dënuari me probleme në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit.
Emri i Kaptellit është lakuar në muajin maj të vitit 2017, kur kishte postin e shefit të Policisë së Burgut të Kosovës. Mjeti i tij u shkrumbua tërësisht nga flakët në lagjen “Skënder Libohova” të Lushnjës, ndërsa dyshimet ishin se ngjarja ndodhte për shkak të detyrës. Kaptelli ka mbajtur poste të larta, kryesisht në burgje. Më parë ai ka mbajtur postin e drejtorit në Burgun e Peqinit.