Macron dorëzohet: Protestuesit kanë të drejtë, vendi në emergjencë ekonomike

Ndërsa qeveria e Francës po përpiqet të marrë kontrollin e situatës, pas protestave masive që kanë shpërthyer brenda vendit për javë të tëra, Presidenti Emmanuel Macron është dorëzuar përfundimisht mbrëmjen e sotme, duke pranuar se vendi është në një gjendje ‘të jashtëzakonshme ekonomike’.
‘Sot, ne jemi të detyruar ta pranojmë atë. Sot po shpall një emergjencë ekonomike në vendin tonë’, u shpreh Macron, duke iu drejtuar vendit e duke bërë thirrje për ‘mbështetje për ekonominë franceze’.
Ai u shpreh se nuk ka asnjë justifikim për atë që ka ndodhur.
‘Nuk ka asnjë justifikim për zemërimin dhe për të gjithë ato përplasje të dhunshme’, këmbënguli Macron në fjalimin e tij edhe pse pranoi se publiku ka ‘të drejtën e indinjatës’.
Presidenti më pas njoftoi se ‘pagat minimale do të rriten me 100 euro në muaj duke filluar nga 2019’. Ai gjithashtu u zotua të anulojë taksat mbi punën jashtë orarit dhe të vendosë përjashtime të veçanta tatimore për njerëzit që fitojnë më pak se 2 mijë euro për muaj.
Macron, i cili shpesh është kritikuar për dyshimin se po u shërbente vetëm interesave të të pasurve në Francë, tha gjithashtu se ai ka urdhëruar kryeministrin të zhvillonte propozime që do të lejonin ‘ndërmarrjet dhe anëtarët më të pasur të shoqërisë sonë të kontribuojnë’ në programin e kombëtar ekonomik, por ai nuk pranoi të përforconte të ashtuquajturin ‘taksë pasurie’.