Gjobëvënësit e Policisë Rrugore!

Nga Boldnews.al

Çdo javë, Policia Rrugore raporton publikisht shifra të ekzagjeruara gjobash, arrestimesh e bllokim patentash të qytetarëve që shkelin rregullat e qarkullimit. E, në mënyrë paradoksale, ndërkohë që shifrat e penalizimeve nga struktura e drejtuar nga Mithat Tola rriten, aksidentet dhe “piratët e rrugës” nuk zvogëlohen. Përkundrazi, aksidentet me pasoja të rënda për jetën e shëndetin vijojnë të jenë kronika “rutinore” në përditshmërinë shqiptare.
Imazhi i Policisë Rrugore për çdo qytetar dhe drejtues mjetesh është ai i punonjësve me bllok gjobash në dorë. Prej kohësh, kjo panoramë është standarte në rrugët e Shqipërisë, por sidomos në Tiranë, ku numri i automjeteve dhe qarkullimit është shumë herë më i lartë se i të gjithë qyteteve të tjera.
Pikërisht, këto pamje “gjobaxhinjsh” policorë nxitën edhe Ministrin e ri të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të urdhëruar ndryshimin e mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Policisë Rrugore. Natyrisht, ky urdhër, ndër të parët e ministrit Lleshaj, nuk ishte ai që kishte emergjencë absolute, krahasuar me luftën munguar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Por, gjithësesi, fakti që ministri Lleshaj zgjodhi të vendoste firmën në një dokument për Policinë Rrugore, dëshmon se për atë vetë, por edhe për qeverinë që përfaqëson “polici rrugor, vetëm me gjobë në dorë” është i papranueshëm.

Urdhëri i ministrit të Brendshëm është shpërndarë para rreth 10 ditësh, por, në terren, asgjë nuk ka ndryshuar. Drejtuesi i Policisë Rrugore, Mitat Tola, ende nuk duket se e ka marrë mesazhin e ministrit. Po ashtu, edhe vartësit e tij, ende nuk e kanë zbatuar atë që kërkon ministri.
Të paktën në Tiranë, shefi i qarkullimit, Erion Ahmeti, duket se ende nuk e ka kuptuar se çfarë kërkon ministri. Nga një vëzhgim i shkurtër në rrugët e kryeqytetit gjatë fundjavës, konstatohej lehtësisht panorama e pandryshueshme-policë rrugorë me bllok gjobash në dorë, punonjës policie në kryqëzime rrugësh duke dubluar semaforët dhe trafik të rënduar në shumë akse kryesore të qytetit.
Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola, ka qenë edhe më parë në këtë pozicion, në periudhën 2014-2016. Dy vjet më parë, ai u largua nga ky post dhe, sipas burimeve brenda policisë në atë kohë, shkak u bë performanca e dobët. Në korrik 2016 ai u zëvendësua në këtë detyrë nga Ardi Veliu, i cili në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të Shkollës Bazë të Policisë.
Nuk është e qartë se si Mitat Tola u rikthye përsëri në detyrën e shefit të Policisë Rrugore. Me shumë mundësi, atij i është hapur rruga për të marrë të njëjtën zyrë, pasi Ardi Veliu u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë me firmën e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.