Fondet për Arsimin e Lartë, si i zhduku qeveria edhe ato pak investime të programuara

Ministria e Financave nëpërmjet buxhetit të vitit 2018 kishte planifikuar të investonte rreth 2 milionë euro në përmirësimin e konvikteve në godinat e qytetit studenti, por deri në fund të muajit tetor këto fonde janë realizuar pothuajse në nivelin zero.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, këtë vit një vlerë prej rreth 250 milionë lekësh ishte planifikuar të investohej në konvikte.
Nga kjo shume 108 milionë lekë ishin të programuara për tu investuar në rehabilitimin e godinave në qytetin studenti dhe 100 milionë lekë po në qytetin Studenti për eficencën e energjisë në këto godina.
Mirëpo deri në fund të muajit tetor realizimi i investimeve në këto projekte ishte zero.
Realizimi i fondeve buxhetore për investime në arsimin e lartë gjithashtu ka qenë shumë i ulët edhe për vitin 2017.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit investimet kapitale në “Programin, Arsimi i Lartë” ishin miratuar 330 milion lekë, nga të cilat me financim të brendshëm ishin 230 milion lekë, si dhe financim të huaj në shumën 100 milion lekë.
Buxheti i rishikuar për vitin 2017 uli financimet për investime në arsimin e lartë duke i çuar në 168 milion lekë, nga të cilat me financim të brendshëm ishin 82.8 milion lekë, si dhe financim të huaj në shumën 108 milion lekë.
Por edhe pse fondet u shkurtuan ato nuk arritën të realizoheshin. Realizimi i shpenzimeve kapitale për 12- mujorin 2017 në këtë program është 72 milion lekë ose 57 %.
Ministria e Arsimit ka arsyetuar se, financimi i huaj për 12-mujorin e parë 2017 nuk është realizuar, për shkak të rishikimit të marrëveshjes si dhe ndryshimit të selisë së agjencisë zbatuese RASH.
/Monitor