Dialogjet e kryeministrit, si mallrat kineze…

Nga Ergys MËRTIRI

Këto dialogjet e kryeministrit janë si mallrat kineze që falsifikojnë emra kompanish të njohura, për t’u dukur si firmato: Versaze, Armami, Chamel…
Kryeministri po përpiqet me sforcim të madh të falsifikojë një dialog në kushtet kur protestuesit nuk e qasin. Për këtë i duhen rektorë e dekanë të klonuar, që pranojnë të bëhen shagu i derës ku ai fshin këpucët e baltosura në batakun e korrupsionit dhe degjenerimit.
Më vjen keq që shoh rektorë pa rrasht, që pranojnë të pozojnë si barbi me kollare, në monologjet banale të spektaklit qeveritar të vrerosur nga turpërimi që i bënë studentët. Është e trishtë të shohësh akademikë që i servilosen pushtetit aq sa të pranojnë të marrin mbi vete një pjesë të baltës së tij. Ky vetmohim ndaj pushtetit i rreshton ata në ikonat e budallepsjes dhe nënshtrimit njerëzor si Pal Vata në kohë të Enverit apo Uka i Unazës së re në epokën e Lali Erit.
Krenar për vajzën që doli nga mbledhja, e që i tregoi rektorit se mosha, përvoja, gradat shkencore nuk e kanë ndihmuar të ketë as dinjitetin minimal të një njeriu të thjeshtë. Turp për të gjithë ata që pranojnë të bëhen dekor i një spektakli të trishtuar të një pushteti të kalbur e të trembur si ky, që nuk di ku të kapet për t’u mbajtur. Dinjiteti është në shesh me protestuesit, jo në sallat e inskenuara të propagandës së një qeverie në panik.