Devijohet Lana dhe do shemben banesat te Unaza e Re për të ndërtuar pallate miku i Ballës, trafikanti Mond Bego

Partia Demokratike ka zbuluar sot misterin e dëbimit të mijëra banorëve nga Unaza e Re me dokumenta: ndërtimin e një projekti rezidencial luksoz nga trafikanti i drogës Edmond Bego, me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.auto Screenshot 121545225002
Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi publikuan dokumentat e skandalit të ri të Edi Ramës dhe Erjon Veliajt me Unazën e Re dhe shtratin e lumit Lana.
Kompania “Alsion Albania” e trafikantit Edmond Bego do të ndërtojë tek ish-serat një projekt me vlerë 60 milionë euro. Vendndodhja është buzë Unazës së Madhe dhe parashikohet ndërtimi i një projekti rezidencial luksoz.
Rama dhe Veliaj kanë parashikuar ndërtimin e projektit luksoz dhe devijuar Lanën për Edmond Begon. Ndaj kanë vendosur dëbimin e familjeve.
Kjo është zona e ish-serave dhe plani urbanistik. Bëhet fjalë për zonën e ish-serave e privatizuar me firmën e Arben Ahmetajt.
Plani Rama-Veliaj ndryshoi projektin për sistemin e Lanës, pasi trafikanti i drogës Edmond Bego ka plan të ndërtojë projektin rezidencial luksoz.
Jorida Tabaku e konsideroi një skandal, këtë që po ndodh, ndërsa Gazment Bardhi theksoi se kjo është një provë e qartë se po pastrohen para dhe se në Tiranë, ndërtimi po përdoret për pastrimin e parave.

Deklarata e Plote e Jorida Tabakut
Prej më shumë se një muaji, Partia Demokratike ka njohur shqiptarët me fakte të pakundërshtueshme se projekti i Unazës së Madhe është një projekt korruptiv i Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Janë 40 milionë euro që çifti më i korruptuar i politikanëve sot në Europë, Rama dhe Veliaj, po përfitojnë në 2.2 kilometra nëpërmjet paracaktimit të 3 fituesve të tenderit dhe nëpërmjet fallsifikimit ndërkombëtar të dokumentave të njërit prej fituesve, DH Albania.
Por duke qenë se projekti i vetëm i Edi Ramës dhe Erion Veliajt është vjedhja dhe grabitja e qytetarëve, ata nuk ndalen me 40 milionë euro.
Partia Demokratike publikon sot fakte tronditëse sesi Rama dhe Veliaj kanë bashkëpunuar për një projekt tjetër korruptiv me trafikantin ndërkombëtar të drogës Edmond Bego, i njohur si miku i Taulant Ballës.
Edmond Bego ka parashikuar të ndërtojë një kompleks rezidencial luksoz tek zona e Unazës së Madhe. Për llogari të këtij projekti të trafikantit të drogës, Edi Rama dhe Erion Veliaj:
kanë ndryshuar Planin Urbanistik të Tiranës
kanë ndryshuar rrjedhën e lumit Lanë në favor të projektit luksoz të trafikantit të drogës
kanë planifikuar dëbimin nga shtëpitë të të paktën 200 familjeve për të mbajtur të paprekur pronën e Edmond Begos.
Me Planin Urbanistik të vitit 2013 projekti për sistemimin e Lanës prekte një pjesë të tokës ku do të ndërtojë Mond Bego.
Bëhet fjalë për zonën e njohur si ish Serat, e privatizuar në vitin 2016 me firmën të Arben Ahmetajt.
Plani Urbanistik u ndryshua në vitin 2017 me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Plani Rama-Veliaj ndryshoi projektin për sistemimin e Lanës me qëllim mosprekjen e zonës së ish serave, ku trafikanti ndërkombëtar i drogës Edmond Bego, ka planifikuar të ndërtojë kompleksin luksoz rezidencial.
Zoti Bardhi ka dokumenta të tjera për t’ju treguar, të cilat provojnë se Edi Rama dhe Erion Veliaj janë përfshirë në një aferë gjigande korruptive për llogari të disa oligarkëve dhe krimit të organizuar.
Nga njëra anë shpikin një projekt të fryrë 40 milionë euro dhe e ndajnë pa garë me 3 oligarkë, nga ana tjetër ndryshojnë Planin Urbanistik dhe shtratin e lumit Lanë për llogari të një trafikanti ndërkombëtar droge.

Fjala e Plote e Gazment Bardhit
Me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për ndryshimin e rrjedhës së Lanës dhe me firmën e Arben Ahmetajt për privatizimin e ish Serave, mikut trafikant droge të Taulant Ballës, Edmond Bego, iu hap rruga që të ndërtojë në një sipërfaqe prej rreth 30 mijë metra katror.
Dokumentet e Hipotekës provojnë se kjo sipërfaqe toke i ka kaluar për ndërtim kompanisë ALSION-ALBANIA, e cila është në pronësi 100 për qind e Mond Begës.
ALSION-ALBANIA do të ndërtojë tek ish Serat një projekt me vlerë fillestare investimi 60 milionë euro.
Të dhënat e projektit të siguruar nga Partia Demokratike tregojnë se vendndodhja e tij është përgjatë Unazës së Madhe, buzë lumit Lanë, sipas ndryshimit me firmën Rama Veliaj në vitin 2017.
Projekti luksoz i Mond Begës është krijuar nga studio italiane MISALAB, ku si klient paraqitet kompania tjetër e Mond Begës, INERTE EXPRES.
Kompleksi rezidencial, ku do të investohen 60 milionë euro, është paraqitur prej Edmond Begos në Bashkinë e Tiranës, ku kanë nisur procedurat e pajisjes së tij me leje ndërtimi.
Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë ndryshuar Planin Urbanistik për ta vënë në funksion të realizimit të projektit të Edmond Begës.
Ndryshimi i projektit të Unazës së Madhe dhe sistemimiit të shtratit të Lumit Lana për llogari të Edmond Begës është kriminal.
Nga ndryshimi i projektit preken rreth 200 familje, ku pjesa dërrmuese e tyre janë në proces legalizimi. Kjo do të thotë që Edi Rama do të nxjerrë në qiell të hapur mijëra banorë për t’i shërbyer pastrimit të parave të pista që vijnë nga krimi i organizuar dhe trafiku ndërkombëtar i drogës.
Firma e edi Ramës dhe Erion Veliajt për ndryshimin e Planit Urbanistik dhe të shtratit të lumit Lanë për të mos prekur projektin 60 milionësh të Edmond Begos në kurriz të 200 familjeve shqiptare është treguesi më i qartë se alternative e vetme e Edi Ramës është bashkëqeverisja e tij me krimin e organizuar.
Kjo qeveri e ka vënë shtetin në shërbim të trafiknatëve të drogës. Ajo po shemb shtëpitë e shqiptarëve që krimi të ndërtojë pallate.