Buxheti në Kamëz merr votë unanime, Mziu: Prioritet infrastruktura, 68% e buxhetit nga të ardhurat e bashkisë

Kreu i Bashkisë Kamëz: Buxheti i vitit 2019 është edhe më i madhi në vite, falë mirëmenaxhimit të të ardhurave, në një kohë kur kanë munguar tërësisht fondet e akorduara nga qeveria, situatë e kjo e ngjashme prej 2013. Në vitin 2004, 81% e buxhetit të Bashkisë shkonte për pagat, kurse sot vetëm 18%. Zero lekë nga donatorë, transfertë e kushtëzuar është gjendja civile, ndihmë ekonomike dhe paaftësi e kushtëzuar, për të cilat çelet fondi në fillim të vitit

Është miratuar sot buxheti i Bashkisë Kamëz për vitin 2019. Objektivi kryesor i këtij buxheti janë investimet në infrastrukturën e gjithë qytetit. Në fjalën e tij para këshilltarëve kryebashkiaku Xhelal Mziu pohoi se përveç pjesës dërrmuese që shkon për investime, ky buxhet është edhe më i madhi në vite, duke ruajtur kështu trendin e Bashkisë Kamëz, e cila vit pas viti ka hartuar buxhete progresive. Kjo është bërë e mundur falë mirëmenaxhimit të të ardhurave, në një kohë kur kanë munguar tërësisht fondet e akorduara nga qeveria, situatë e pranishme në pesë vite me radhë.
Gjatë prezantimit të buxhetit, kryebashkiaku Mziu theksoi se nga të gjitha kompetencat dhe financat që duhej të kalonin nga qeveria, nuk ka kaluar asnjë. “Kemi 1200 rrugë rajonale, nacionale, të cilat duhet të ishin pjesë e financimit: bulevardi kryesor, bulevardi “Skënderbeu” dhe “Nënë Tereza”, rruga “Demokracia” në Bathore, rruga “Arbrit” në Kodër-Kamëz, rruga “Abdi Bej Toptani” apo rruga kryesore që është kthyer në nacionale që është 7 km, rruga kryesore e Paskuqanit. Të gjitha këto rrugë plotësojnë më së miri kriteret që duhet të mirëmbaheshin dhe financoheshin nga qeverisja qendrore, por zero lekë financime nga qeveria. Ka edhe kompetenca të tjera, por dua të them edhe një herë që transferta specifike është rreth 20 apo 30% ndaj asaj që ka nevojë qyteti i Kamzës. Shuma e të ardhurave të planifikuara për këtë vit kap shifrën e 1 miliard e 923 milionë lekë të reja, çfarë do të thotë që kemi një buxhet, i cili në raport me totalin peshën më të madhe specifike e zënë të ardhurat e Bashkisë, që përbëjnë 68% të buxhetit të Bashkisë. Ajo çfarë është e rëndësishme, është që për vitin 2019, të ardhurat që janë planifikuar, krahasuar me këtë vit që jemi, janë më shumë sesa dy herë, por kjo nuk do të thotë se kjo rritje vjen për shkak të të ardhurave që ne do të krijojmë rishtas, vjen edhe për shkak të debisë së trashëguar kryesisht me legalizimet”, – tha kryebashkiaku Xhelal Mziu.
Më tej në komunikimin para këshilltarëve z. Mziu shtoi: “Buxheti i Bashkisë është bërë më i pavarur, për shkak të tendencës së rritjes së të ardhurave, por është bërë i pavarur edhe për shkak të uljes apo qenies statike të grantit të akorduar nga qeveria në fillim të vitit apo edhe grante të tjera. Transferta e pakushtëzuar e dhënë në fillim të vitit përbën vetëm 19% të buxhetit të Bashkisë; funksionet specifike përbëjnë 7% dhe shuma e të dyjave bashkë, që akordohen nga shteti, janë 26% dhe 74% e buxhetit të Bashkisë do të përballohet nga të ardhurat e veta.
Në 4 vitet e fundit, diferenca e të ardhurave të Bashkisë dhe transfertës është rritur dhe ka shkuar në raport 1 me 4, siç ishte ky vit. Në vitin 2004, 81% e buxhetit të Bashkisë shkonte për pagat. Sot që ne flasim, është 12%. Pra, vetëm 12% e buxhetit të Bashkisë shkon për paga e sigurime shoqërore. Para 6 muajsh, 21 bashki nuk paguanin dot pagat e sigurimet shoqërore, kurse ne kemi vetëm 12% të buxhetit që shkon për paga e sigurime shoqërore”.

Buxheti i sapomiratuar i Bashkisë Kamëz për vitin 2019 është 2,584,412,000 lekë, ndër të cilat 1,923,533,000 lekë (75%) nga të ardhurat e veta, 491,970,000 lekë (19%) transfertë e pakushtëzuar, 168,909,000 lekë (6%) transfertë specifike, 0 mijë lekë nga donatorë, transfertë e kushtëzuar është gjendja civile, ndihmë ekonomike dhe paaftësi e kushtëzuar për të cilat çelet fondi në fillim të vitit. Totali i investimeve të reja për vitin 2019 është 1,208, 615,203 lekë. Detyrimet për investimet deri më 31.12.2018 janë 1,430,529,471 lekë. Totali i detyrimeve për investime për vitet 2018 dhe 2019 është 2,642,304,674 lekë. Totali i shpenzimeve kapitale është 1,644,113,000 lekë dhe zë 68% të totalit të shpenzimeve. Totali i shpenzimeve operative është 393,171,000 lekë dhe zë 11.92% të totalit të shpenzimeve. Transferta e pakushtëzuar e vitit 2019 në krahasim me transfertën e pakushtëzuar të vitit 2018 është rritur 3%, ndërsa shuma e të ardhurave për vitin 2019 ka rritje prej 19% krahasuar me vitin 2018. Duhet theksuar se buxheti i vitit 2019 i Bashkisë Kamëz u votua unanimisht nga këshilltarët, të cilët i kanë dhënë kështu dritën jeshile zbatimit të dhjetëra projekteve, të cilat do të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës urbane të Kamzës. Kështu, me këtë buxhet do të financohen dhjetëra e dhjetëra projekte, me anë të të cilave do të ndërhyhet në ndërtimin e rrugëve të reja, të kanalizimeve, si dhe objekteve të tjera, siç është tregu i fruta-perimeve, agroushqimor dhe i veshmbathjeve.

48408044 202234257394477 8927232658816106496 n 1