Rusia miraton sanksione të reja kundër Ukrainës

Rusia ka vendosur sanksione të gjera financiare ndaj 322 anëtarëve të elitës ukrainase dhe 68 kompanive në pronësi të biznesmenëve të njohur ukrainas.
Në mesin e personave në shënjestër të sanksioneve janë:
djali i Presidentit Petro Poroshenko, Oleksiy
ministri i Brendshëm Arsen Avakov
shefi i Shërbimit të Sigurisë Vasyl Hrytsak
zëvendës kryeministrja Ivanna Klympush-Tsintsadze
biznesmeni Viktor Pinchuk
ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko
ish-kryeministri Arseniy Yatsenyuk
ish-kreu i Grupit Ultranacionalist i Sektorit të Djathtë Dmytro Yarosh
Sanksionet u njoftuan me një dekret të nënshkruar nga kryeministri Dmitri Medvedev, botuar në faqen e internetit të qeverisë më 1 nëntor.
Në dekret thuhet se qëllimi i masës është “kundërvënia ndaj aktiviteteve jo miqësore të Ukrainës ndaj shtetasve dhe subjekteve ruse si dhe normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe”.
Në listën e sansioneve përfshihen gjithashtu:
sekretari i Këshillit për Sigurinë Kombëtare dhe Mbrojtjen Oleksandr Turchynov
ministri i Mbrojtjes Stepan Poltorak
zëvendësministri i Mbrojtjes Anatoliy Petrenko
shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Viktor Muzhenko
nënkryetarja e parlamentit Iryna Herashchenko
udhëheqësi veteran i Tartarëve të Krimesë Mustafa Dzhemilev

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pronave në territorin e Rusisë. Ndër të prekurit janë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Ukrainës, ligjvënës, oligarkë, punonjës të zyrës presidenciale, zyrtarë qeveritarë dhe kompani të mëdha ukrainase.
Masa e kryeministrit rus Medvedev vjen 10 ditë pasi presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret që përgatiti terrenin për “masa të posaçme ekonomike” kundër Ukrainës, duke udhëzuar qeverinë të hartojë një listë të firmave dhe individëve në shënjestër të sanksioneve ekonomike.
Në dekretin e presidentit Putin të 22 tetorit, thuhet se masa ndëshkuese mund të anulohen nëse Ukraina heq të gjitha kufizimet që ka imponuar ndaj qytetarëve dhe kompanive ruse.
Ukraina ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka vendosur sanksione ndaj biznesmenëve, kompanive dhe organizmave të tjera ruse si përgjigje ndaj konfiskimit të gadishullit të Krimesë nga Moska në marsin e 2014 dhe mbështetjes që ajo u jep separatistëve të armatosur në Ukrainën lindore.
Më 23 tetor, zoti Medvedev njoftoi se Moska po përgatiste sanksione që do të ndalonin importin e disa produkteve ukrahinase në Rusi. Ai nuk specifikon se për çfarë produktesh bëhej fjalë.
Në muajin qershor zoti Putin nënshkroi një ligj për t’u hakmarrë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që kanë vendosur sanksione kundër Rusisë.