Protesta në Durrës/ Studentët ultimatum Dakos!

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, reagoi pas protestës së studentëve të Universitetit të Durrësit, lidhur me landfillin e mbetjeve në Porto Romano, ku protestuesit paralajmëruan për bojkotim të mësimit, nëse nuk zgjidhet problematika.
Në deklaratën e Dakos thuhet se, “Këshilli Bashkiak i Durrësit me vendim Nr. 533 datë 10.07.2018 ka vendosur “Miratimin për shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve Urbane për territorin e Bashkisë Durrës”, ndërsa i njihte me hapat që do ndërmerreshin.
Pas kësaj deklarate, kanë reaguar sërish studentët, të cilët i kanë dhënë ultimatum kryebashkiakut, që brenda 10 ditësh të ndalohet djegia e mbetjeve në këtë pikë grumbullimi.
Reagimi i plotë i studentëve
I nderuar kryetar i Bashkisë së Durrësit, Zoti Vangjush Dako, e lexuam me vëmendje sqarimin tuaj publik në lidhje me hapat që po ndiqen për zgjidhjen përfundimtare të mbetjeve në zonën e Porto Romanos në Bashkinë Durrës.

Duke qenë të vetëdijshëm se reagimi juaj në këtë moment është një akt që tregon shpresë për të gjithë studentët, stafin akademik, dhe banorët e Porto Romanos, dëshirojmë t’iu vëmë në dije se kërkesat tona kanë qenë konkrete dhe deklarata juaj vjen rishtas, pasi ky problem nuk është shfaqur tani dhe ai është i ditur botërisht prej vitesh.
I nderuar Zoti Dako, në deklaratën tuaj nuk përmendni afate, çka është pika kryesore për ne.
I nderuar Zoti, Dako, duke ritheksuar edhe një herë se jeta jonë nuk është as vendim e as deklaratë për media, dëshirojmë të të informojmë sërisht mbi kërkesat tona të palëkundura.
Si proces emergjent, kërkojmë nga ju që të vendosni urgjentisht ndalimin e diegies e mëtejshme të mbeturinave në një afat kohor jo më shumë se 10 ditë.
Pasi djegia e mbeturinave të jetë ndaluar, ne kërkojmë nga ju data jo fort të largëta kur do të nisë heqja e mbetjeve nga Porto Romano, e më pas afatet për të gjithë procesin.
I nderuar Zoti. Dako, kemi të bëjmë me jetën e mijëra qytetarëve, dhe me vazhdimësinë e djegies së mbetjeve çdo orë është më e rrezikshme se tjera në atë zonë.
Prandaj, duke qenë edhe një herë të palëkundur me kërkesat tona, ne do të vazhdojmë me aksionin tonë të përshkallëzuar derisa të marrin zgjidhje pikat e sipërcituara.