Kryqet në shtëpitë e kryeqytetasve

351

“Monitor”

Protesta e një pjese të banorëve të Tiranës për pronat që do t’ju prishen, se aty do të kalojë Unaza e Re e kryeqytetit, është shpërthimi i problemeve që ky projekt ka që në nisje e që mund të mos përfundojë mirë për të gjithë.
Ndërtimi i këtij aksi ka qenë nevojë e kryeqytetit, me kohë. Kjo rrugë nuk është thjesht një trajektore e re lëvizje për automjetet, por edhe trajektorja se si nesër do të organizohet qyteti më i rëndësishëm i vendit, në shumë dimensione.
Rëndësia dhe ndikimi i këtij projekti është e shprehur edhe në Planin e vonuar të Rregullues të kryeqytetit, si në aspektin social, ekonomik, etj. Si i tillë, i gjithë publiku dhe jo vetëm të prekurit direkt nga ndërtimi i kësaj
rruge, meritonin të njiheshin me çdo detaj të tij. Fatkeqësisht, plani i qeverisë u mor vesh kur banorët panë mbi shtëpitë tyre kryqet e qeverisë, që tregonin se cilat nga pronat nuk do të ekzistonte më, pasi do të prishen.
Deri sa pa shpërthyer protesta e së enjtes në bulevard, askush nuk e dinte me saktësi as numrin e objekteve që prekeshin. Cilat do të shpronësoheshin, cilat jo, cilat do të rivlerësoheshin apo cilat do të kompensoheshin kundrejt qirasë së përkohshme. Institucionet përgjegjëse ishin konfuze në deklarata.
Dhe sa më shumë thellohej protesta, aq më shumë dilnin detajet nga qeveria e zënë ngushtë. Këto fakte na tregojnë se projekti nuk po ndiqte rrugën e duhur ligjore, e cila është dizenjuar për të puqur sa më afër interesat e të
gjitha palëve. Vetë projekti u quajt i mbyllur shumë javë pasi qytetarët u shënjuan me kryqin se prona që ata zotërojnë nuk do të ishte më e tyre, kur në fakt duhet ë ndodhte e anasjella.

Një pjesë e madhe e objekteve në atë zonë janë në proces legalizimi ose njohje prone. Por siç u pa, agjencitë ligjzbatuese e vunë në lëvizje procesin vetëm kur panë se do të hasnin në rezistencë të gjatë dhe të fortë të banorëve. Për këtë projekt ka mjaft kundërshti publike për kostot dhe leverdishmërinë e tij. Publiku dhe jo vetëm banorët përgjatë segmentit ku do të kalojë rruga, nuk panë asnjë mundësi alternative dhe me të drejtë, fi lluan të dyshojnë edhe për devijime të aksit në mënyrë të çuditshme.
Projekti i Unazës së Madhe të Tiranës është dizenjuar disa vite më parë. Por zona përgjatë aksit është zhvilluar si nga ana urbane, komunitare, ekonomike etj. Edhe me ndarjen e re administrative, ajo formalisht quhet pjesë e integruar e kryeqytetit, i cili i ka shtrirë kufijtë e tij të verdhë shumë larg. A mos vallë ky projekt i konceptuar si ide shumë herët, tani nuk po aq i vlefshëm sa më parë? A qëndron nga të gjitha parametrat? A ndikon ai pozitivisht në zhvillimin jo vetëm të zonës, por gjithë kryeqytetit, apo mund të krijohet një geto që në vend t’i bashkojë, i ndan qytetarët?
Me pak fjalë, a është ai i leverdishëm nga të gjitha aspektet, si ekonomike, sociale, mjedisore, arkitekturore, urbane etj. Këtë nuk di ta thotë askush, e ndoshta as qeveria, përderisa është kaq refraktare me publikun, duke i treguar atij vetëm copa detajesh shpesh kontradiktore.
Pyetja që duam të shtrojmë është ndryshe: nga ky projekt kush dëmtohet, vetëm banorët përgjatë rrugës apo efekti është më i madh, më i gjerë? Deri tani, kryqet mbi shtëpitë nuk mjaftojnë, ato duken më shumë si gjurmë
inkuizicioni, sesa shenjat e një zhvillimi gjithëpërfshirës që ka marrë pëlqimin e shumicës, por që deri tani ka dalë nga shinat e qeverisjes së mirë dhe gjithëpërfshirëse.