Katër ndryshimet e Solarit, nga Vinicius te pozicioni i Asensios

Real Madridi është kthyer te fitorja dhe trajneri Santiago Solari ka debutuar me sukses, me një triumf të thjeshtë në kupë, kundër Melilla-s. Në Spanjë menjëherë kanë nisur krahasimet me epokën Lopetegui dhe ndryshimet e bëra nga Solari, edhe pse është e qartë që krahasimi është absurd, duke parë që përballë këtë të mërkurë ishte një rival tepër modest. Gjithsesi, disa ndryshime ranë në sy dhe duket se Solari, për sa kohë do drejtojë, do ofrojë diçka ndryshe.
Më në fund Vinicius vinicius junior real
Ndryshimi më i qartë quhet Vinicius, sepse më në fund braziliani i talentuar e pati një shans dhe e shfrytëzoi. Pas ndeshjes u fol më shumë për të sesa për fitoren e Realit, sepse “Vini” dha pasim për gol, i shkoi pranë golit dhe zbaviti me lojën e vet, ajo që dëshiron tifozeria e Realit. Vinicius ka talent dhe është nga ata lojtarë që mbushin stadiumet, edhe pse është ende larg të qenit një lojtar i kompletuar dhe gati të luajë në formacion në kampionat e Champions League.

Asensio, në qendër
Marco Asensio, ose më saktë pozicioni i tij, ishte një ndër risitë e Realit në Melilla. Këtë radhë Asensio luajti në qendër, duke lënë në të majtë Vinicius ose Reguilón. Më i lirë dhe më i rrezikshëm, duke e kërkuar shpesh golin, ndërsa pas pushimit edhe si “falso nueve”, Asensio duket se do të jetë më pranë portës me Solarin.
Zgjohet Odriozola
Nëse në të majtë ishte Vinicius dhe në qendër Asensio, krahu i djathtë ishte pronë e Odriozola-s. Anësori, i cili nuk luajti në El Clasico edhe pse mungonte Carvajal, më në fund pati shansin të tregonte sa vlente dhe shkëlqeu sidomos në fazën sulmuese. Një hakmarrje personale, por rivali ishte modest dhe duhet parë nëse talenti i blerë me bujë nga Reali mund të rivalizojë për formacionin.
Të rinjtë duan hapësirë
Javi Sánchez e Cristo ishin dy lojtarët e marrë nga të rinjtë që debutuan në Melilla. Solari i njeh mirë, i ka drejtuar vetë deri para dy ditësh dhe sidomos Javi Sánchez u duk një lojtar interesant. Duke parë që Vallejo e Varane janë të dëmtuar, Javi Sánchez mund të ketë hapësirë edhe në vazhdim në ekipin e parë.