Inkurajoj gazetarët dhe punonjësit e medias të rezistojnë

Albana VOKSHI

Sot, është Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve.
Por, Shqipëria sundohet nga Rama, nxitësi zyrtar i dhunës ndaj gazetarëve.
Në regjimimin e tij gazetarët janë problemi dhe së fundmi ka urdhëruar edhe ndjekjen e tyre për shpifje.
Në Shqipëri nga 2013-2018, dhjetëra gazetarë janë dhunuar, kërcënuar dhe përndjekur për shkak të publikimeve të historive për përfshirjen e Kryeministrit, ministrave dhe kryebashkiakëve socialistë në afera korruptive dhe në lidhje të ngushta me krimin e organizuar.
Vetëm këtë vit u kërcënuan me armë dy gazetarë.
Asnjë i dënuar për plumbat në shtëpinë e gazetares Klodiana Lala.
Asnjë i arrestuar për pistoletën në kokën e korrespondentit, Julian Shota.
Për gazetarët investigativë; Jetmir Olldashi u dha masë dwnimi “detyrim me paraqitje”, ndërsa për Basir Çollakun nisi procedim penal për shpifje se intervistoi nënkomisarin që u kërcënua në prani të Koordinatorit të Bashkëqeverisjes dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS.
Dhjetëra kolegë të tyre u larguan nga Shqipëria dhe kërkuan mbrojtje për jetën në vendet e Bashkimit Europian.
Ende në platformën e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e gazetarëve nuk ka përgjigje nga qeveria shqiptare për kërcënimin dhe përndjekjen e gazetares Alida Tota pse investigoi humbjen e jetës së të ndjerit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës që menazhohej nga Bashkia Tiranë. Ende nuk ka përgjigje as për dhunimin e dhjetëra gazetarëve të tjerë që u larguan nga Tirana me urdhër policor.
Në detyrën e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Median përsëris thirrjen drejtuar Prokurorisë për të zbardhur rastet e dhunës, kërcënimeve, largimeve nga puna dhe përndjekes së gazetarëve.
Po ashtu hetime të thelluara duhet të kryhen edhe pëe shantazhimin e medias me tatimet dhe blerjen e saj me tendera publikë për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të shpërndarë “fake news-t” e Edi Ramës dhe kryebashkiakëve të tij.
Sot, inkurajoj të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias të rezistojnë.
Falenderoj secilin prej gazetarë profesionalistë, dhe angazhohem të jem krah tyre, në betejën për të mbrojtur Lirinë e Shtypit!