Si u largua Fatmir Xhafa nga ministër i Brendshëm, Basha jep detajet

Kryetari i opozitës, Basha ka dhënë detaje të reja në lidhje me largimin nga posti i ministrit të Brendshëm të Fatmir Xhafës. Basha kujton se edhe pse kanë kaluar ditë nga kjo dorëhejqe Xhafa nuk ka dhënë akoma një arsye se përse është larguar. Kjo mund të jetë një rast unikal në historinë e dorëheqjeve ku një ministër i Brendshëm largohet nga detyra pa dhënë asnjë arsye se përse është larguar. Kudo një ministër jep arsyet e largimit apo të dorëheqjes. Eshe sikur ato të mos jenë të vërteta, opinioni duhet të njihet me arsyet. Në rastin e Xhafës ka ndodhur një heshtje që më shumë se akt zyrtar flet për gjuhën se si mafia në pushtet komunikon sot mes vetes. “Omerta” është kodi i heshtjes në gjuhën e mafias që ka ndodhur në rastin e largimit të Xhafës ku nuk flet as i larguari as shefi i tij në krye të qeverisë
Deklarata e Bashës.
24 orë më parë u bë e ditur dorëheqja e Fatmir Xhafës. Largimi i tij, ndryshe nga sa pritet ta shesë propaganda e rilindjes është rezultat i një dhe vetëm një faktori; betejës dhe luftës pa kompromis të Partisë Demokratike dhe opozitës dhe qytetarëve të bashkuar rreth nesh për të larguar një njeri i cili prej ditës së parë në atë karrige kishte një dhe vetëm një merak; si të shpëtonte vëllain e dënuar për trafik droge nga përballja me drejtësinë.
Kanë kaluar 24 orë dhe Fatmir Xhafaj i cili është larguar i shkatërruar dhe i deligjitimuar nga detyra e ministrit të Brendshëm, nuk ka arritur të artikulojë asnjë arsye pse u largua. Keni dëgjuar të artikulojë pse u largua nga detyra e ministrit të Brendshëm?!

Ndërkohë propaganda e Edi Ramës dhe e bandave rivale e ka mbytur eterin mediatik me lloj lloj jusftifikimesh e barsaletash. E vërteta është gjithmonë e thjeshtë dhe e dukshme.
Fatmir Xhafaj është larguar nga frika e përballjes me përgjegjësitë e tij ligjore dhe politike për manipulimin e hetimit ndaj vartësve të tij, drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliut dhe njerëzve të tjerë të përfshirë në manipulimin e dosjes hetimore për vëllain e tij.
Në çdo vend tjetër të botës një ministër që përfshihet në manipulimin e një dosje hetimore për çfarëdo arsyesh dhe aq më shumë vëllain e kapur gafil do të ishte sot para drejtësisë.
Fatmir Xhafaj është larguar pikërisht për ti bërë bisht përgjegjësisë së tij ligjore dhe politike për manipulimin e dosjes së vëllait të tij Agron Xhafaj, dosje e cila u bë e ditur vetëm falë qendresës, guximit, vendosmërisë dhe këmbënguljes së opozitës.
Sikundër, edhe në çdo rast tjetër, në fillim u tallën dhe na akuzuan. Pastaj na sulmuan por në fund e vërteta trumfoi.
U vërtetua që ne kishim të drejtë se kishim një ministër të Brendshëm si askund në Europë dhe në botë vëllain e një trafikanti të dënuar droge. I cili më mbështetjen e strukturave të policisë vazhdonte të bënte ligjin dhe trafikun e drogës në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë. I cili 24 orë pas denoncimit nga opozita u detyrua të largohet për në Itali dhe pas kësaj vëllai i tij ministër u përfshi në një aferë kriminale për të manipuluar hetimin.
Kjo është e vërteta e vetme. Nuk ka meritë as ministri tjetër i Habilajve dhe askush tjetër për largimin e Fatmir Xhafës. Largimi i Fatmir Xhafës është dëshmi e forcës së pathyeshme të opozitës dhe Partisë Demokratike bashkë me qytetarët shqiptarë në luftën kundër krimit.