Shqipëria e zhurmshme `nacionaliste` dhe Shqipëria e heshtur e `Xhuxhit`!

Çim PEKA
Ju kujtohet mes dhe fundviti 2016; po fillim viti 2017?
“Bombë e Flamur” ishte Rilindja, rrjeti dhe shumica e medieve në atë kohë. Më në fund kishte dalë “një burë shteti”, “që ja mblodhi grekut”.
Dhe ai ishte vetë “kapiteni i shqiptarizmit”, Edi Rama, i cili nuk linte pa shfrytëzuar status në rrjet e aktivitete, seancë parlamentare e takime me popullin, pa siluruar e provokuar fqinjin tonë problematik.
Më 31 tetor të vitit 2016 hodhi në Facebook një `Amacord`, ku shfaqej një gravurë e vjetër e Akropolit. Mes rreshtave u kujtonte grekëve, se ky monument madhështor i antikitetit është ende në këmbë, falë një shqiptari’; Gjergj Dushmanit.
Kaq mjaftoi dhe nami në Tiranë e Athinë; lart e më lartë flamujt e nacionalizmit. Ky ishte kryelajmi, asnjë “hall” tjetër nuk kishin shqiptarët, qeveria dhe vetë KR Rama.
Pastaj sërish, po atë vit më 19 Nëntor, në Samitin e Diasporës, me një fjalim që do ta kishte zili edhe Enver Hoxha në kohën kur nuk kishte shkruar ende, “Dy popuj miq”, lëshoi gjyle e flakë të tjera;
“Për një kohë të gjatë, fqinjët tanë u mësuan, që këtu në Tiranë të kishin bashkëbisedues të nënshtruar, të heshtur, kur fjala ka qenë dhe mbetet për çështje, që nuk mund të bëjmë që nuk ekzistojnë”
Vuuu duartrokitjet dhe ovacionet në sallë, ngazëllim dhe histeri në rrjet, media dhe kafene.
-E patë o shqiptarë, se kush është Edi Rama?; ua mblodhi prapë grekëve, s`ka më, `nuk ekziston çështja çame` dhe as, të shijnë në mes të Tiranës dhe Himarës; tani ka shtet…
Po kështu nisi edhe viti 2017, me Ali Pashë Tepelenën, i cili qëndronte pas revolucionit grek, fjalime të egra në parlament duke e bërë “Qirje Vangjel Dulen” copë- copë, e plot “bomba e flamuj” nacionalizmi, që trullosnin, 24 në 24 orë, shqiptarët.
Prish haure kishash e qerpiçë shtëpish në Himarë, ndize flakë nacionalizmin, sillua në pjatë “çështjen çame”; pushtoi studiot televizive, portalet e rrjetin me këtë temë, për të cilën “vdesin” shqiptarët dhe ec përpara.

Kjo deri ditën që Ditmir Bushati dhe Niko Kotzias, shtrënguan fortë duar nën tavolinë, e hodhën valle së bashku në Kretë e në Korçë!
Meqenëse i kujtuam të gjitha këto që ndodhën në këtë seri nacionaliste të Rilindjes, ju ftojmë të ktheni kokën prapa dhe të rinxirrni nga memoria, edhe çfarë ndodhte po në të njëjtën periudhë në Shqipërinë reale.
Sapo kishte dalë zbuluar dhe nuk kishte më asnjë dyshim as për ndërkombëtarët, operacioni i kanalizimit të vendit; i gjithë zinxhiri komandues i policisë së shtetit rezultoi se ishte vënë në shërbim të kultivuesve dhe trafikantëve të drogës; avionë kartelesh që rrëzoheshin; radarë të ushtrisë që punonin për krimin…dhe mbi të gjitha skandali dhe implikimi i ministrit “kampion i Rilindjes”, Saimir Tahiri.
U fashit edhe kjo histori e denjë vetëm për një narko-shtetet, sepse anormalja për shqiptarët tashmë është bërë normalitet; “Çamëria” u harrua e u shit me gjithë 12 milje të detit Jon, me gjithë pasurinë e pamat të hidro-karburanteve që ka brenda, kurse grekët u bënë kaluar “dy popujve miq” të Enverit.
Por nëse ke lindur në katakombet e fekaleve të Shqipërisë është postulat, që aty do të kthehesh sërish, për të marrë ushqimin e mbijetesës. Ndaj të përgërat të shpërthejnë gjithandej kur nuk e pret, do apo nuk do.
Prandaj tani në këtë fundvit të 2018-ës kemi një Deja Vu, të 2016-2017-ës, të cilën e përshkruam më sipër.
Duke menduar se kishin mbyllur vrimën nga kutërbonte “Tahiri e kanabisimi i Shqipërisë”, u plasi “Xhuxhi” e Xhafaj. Dhe për “koincidencë” sërish plas, edhe lufta e retorikës nacionaliste me Greqinë!
Çdo vit që në territorin shqiptarë në zonat minoritare, por edhe në Himarë ka festë Greqia, ndodhin incidente të shkaktuar nga individë të me tru të mykur, apo të paguar nga qarqe përtej kufirit, të cilët e kanë prej dekadash biznes të madh, këtë punën e Vorio-Epirit.

Ka luftë flamujsh, thirrje e parulla ekstremiste, sherre të dhunshme mes të fortëve nga të dy palët; ka edhe armë që shkrehen në ajër. Kështu ka qenë çdo vit, por RENEA, nuk kishte nxituar kurrë që të udhëtonte drejt Jugut, sikur kishin rrethuar “Eskobarin”.
Ka boll forca policore Gjirokastra, Tepelena, Përmeti apo Fieri (shumë herë më të afta, se ai “ushtari” ditëzi i Vorio-Epiri) për të përballuar një psikik të veshur me rroba ushtarake greke, edhe pasi qëllonte drejt tyre dhe duhej eliminuar. Nuk kishte zbarkuar ushtria e “Mavi”, si në prill të 1994, jo.
Ligji për përdorimin e armëve nga ana e policisë, nuk funksionon vetëm për RENEA. Ky repart special i cili çohet për show aty ku ka vërtetë kriminelë të rrezikshëm dhe të shumë kërkuar, (gjysma e efektivit të tij në fakt pas orarit të punës punon, si roje të “biznesmenëve” që kërkohen nga gjysma e botës dhe ruhen nga kundërshtarët këtu brenda), ka plot punë për të bërë me kriminelë realë të rrezikshëm.
Por ngjarja duhej “e madhe” dhe me sa më shumë “bomba e flamuj” nacionaliste, me impakt shpërthyes në të dyja anët e kufirit.
Dhe ja ku rikthehet sërish Edi Rama, si kaposh nacionalist; ky që heshti për ndarjen e Kosovës, “se ashtu ishte një punë”; që nuk thotë asnjë fjalë se përse u shit dhe u kyç “çështja çame” dhe zona e pasur ekonomike në pjesën tonë të detit Jon.
Grepi i radhës u hodh, njësoj si në kohën e kanabisimit të vendit dhe kapjen me “presh në duar” të Tahirit:
Të gjitha mediat, lukunia e ushtrisë në rrjet; emisionet e darkës, deputetë, militantë, të zgjuar e budallenj; të gjithë janë lëshuar ta kapin karremin-krimb të Ramës, duke harruar peshkaqenët Xhuxhi&Xhafaj dhe gjithë bazenin e fekaleve, nga dolën në dritë të diellit, për ti parë shqiptarët këto ditë.
Dhe ja ky kemi dy Shqipëri; atë të Ramës me polici që vret një grek të sëmurë psikik dhe ngazëllon nga adrenalina e nacionalizmit dhe atë realen e “Të gjatit”, Xhuxhit, Qorrit, Xhafajeve, Lalës, Lalit e kmani, të gjithë në shërbim të trusteve të krimit, të patrazuar.
Për cilën, do të flasim dhe do të shkruajmë?!