Shporrja e Ramës nga pushteti, e shpejtë, sekuestrim i pasurive të paligjshme

Nga Kastriot ISLAMI

S’ka më asnjë dyshim se largimi i Edi Ramës nga pushteti është çështje kohe, madje kjo do të jetë e shpejtë.
Ngjarja e sigurtë është se Rama s’do të ketë mandat të tretë dhe shumë kryetarë të bashkive kryesore do të kenë fatin e tij, para apo bashkë me të.
Qytetarët e dëshpëruar e të pashpresë, të këputur nga varfëria e papunësia, dhe të shpartalluar nga që fëmijët kanë emigruar nga babëzia korruptive e banditizmi kriminal i qeverisë kërkojnë me forcë e insistim që Rama të mos largohet por të shporret e më tej të ndëshkohet.
Shumica e qytetarëve shqiptarë janë tashmë të bindur se Shqipëria s’duhet thjeshtë ta largojë nga pushteti këtë bandë, por ta çrrënjosë e shporrë përfundimisht Sektin më të rrezikshëm të këtyre 25 viteve demokraci duke i çliruar nga kjo ëndërr e keqe që i mundon prej shumë kohësh.
Madje sa më tinzare të jetë sjellja e Ramës apo sa më hileqar e më arrogant të jetë reagimi i këtij Sekti ndaj kësaj mosbindjeje qytetare, aq më i fuqishëm do të jetë veprimi i qytetarëve të dëshpëruar e të zemëruar, që Rama kujton se i ka nënshtruar duke i varfëruar apo duke i dhunuar me arrogancën e pushtetit të tij policor.
S’ka më asnjë dyshim, se e ardhmja e tij do të jetë shumë më e rëndë se e Gruevskit dhe e paprecedentë; në kuptimin që ndëshkimi ndaj tij dhe anëtarëve të kupoles së tij do të jetë si asnjëherë tjetër dhe ata s’do të jenë në gjendje të gëzojnë një pas-politikë, se dëmi që ka shkaktuar kjo bandë sektare është më e tmerrshmja në këtë 30 vitet e fundit.

***
Konkretisht, ndër të tjera Rama, s’ka bërë thjesht gabime por me vetëdije të plotë ka kryer faje të ndëshkueshme rëndë sepse:
ka ideuar dhe ngritur një sistem qeverisjes sektare të vendit me politikanë të korruptuar, oligarkë, kriminelë, trafikantë dhe pjesëtarë të familjeve e klaneve mafioze;
ka vrarë meritokracinë duke promovuar mediokritetin dhe ka eliminuar konkurrencën e lirë duke e zëvendësuar atë me klintelizmin e nepotizmin;
ka vënë nën kontroll biznesin, median, shoqërinë civile dhe së fundmi edhe drejtësinë;
ka shkatërruar zgjedhjet duke blerë vota dhe kërcënuar votuesit;
ka shkatërruar shpresën duke i detyruar shqiptarët ose të nënshtrohen ose të emigrojnë;
ka rrënuar ekonominë deri në atë pikë sa do të jetë shumë i vështirë rikthimi i saj në normalitet brenda një kohë të shkurtër.
***
Sekti Rama do të shporret e ndëshkohet pashmangshmërisht. Kjo është ngjarje e sigurtë dhe vetëm çështje kohe.
Sa më e gjatë të jetë koha e qëndrimit të Sektit në pushtet dhe sa më lartë të jetë rezistenca e saj aq më i tmerrshëm do të jetë largimi i saj dhe aq më rëndë do të jetë ndëshkimi.

Qytetarët janë tashmë të ndërgjegjshëm se fundi i kësaj bande sektare është i pashmangshëm, pavarësisht hileve, arrogancës a egërsisë që përpiqet e do të përpiqet deri në momentet e fundit të shpalosë kjo bandë vrastare e të ardhmes dhe shpresës së qytetarëve që për momentin po largohen masivisht nga vendi.
Zëvendësimi i kësaj bande do të bëhet me votë të lirë e të ndershme, sepse qeverisja e re s’mund të vendoset me dhunë. Sigurisht që për të çliruar votën nga vjedhja dhe votuesin nga kërcënimet e kriminelëve, pra për të ardhur deri tek zgjedhjet e lira e të ndershme, ka disa rrugë:
Rruga e ‘butë’, përmes çmontimit gradual të këtij Sekti duke i nxjerrë çdo ditë në dritë të diellit zullumet dhe bëmat; gjë që ka filluar të ndodhë; edhe me angazhimin e partnerëve europianë.
Rruga e ‘shporrjes së moderuar’ të Sektit Rama përmes protestave masive, afatgjata e të fuqishme.
Rruga e ‘shporrjes radikale’ të Sektit Rama përmes përplasjes së qytetarëve me zullumet e sektit.
***
Në çdo rast Sekti Rama do të shporret nga drejtimi i vendit; kjo është çështje kohe e shenjat janë që kjo do të ndodhë shpejt. Për të shkulur nga rrënjët këtë te keqe të madhe e shmangur çdo lloj rilindje të saj, përgjegjësit kryesorë do të duhet të ndëshkoheshin dhe t’ju sekuestroheshin të gjithë pasuritë e paligjshme. Ky do të ishte testi më i madh për qeverisjen e ardhshme pas shporrjes me çdo mënyrë të sektit Rama.