Rrëfehet Ronaldo: Shkaku i largimit nga Real Madridi ishte Florentino Perez

Cristiano Ronaldo foli për herë të parë në lidhje me largimin e tij nga Real Madridi. Ai e bëri këtë në një intervistë të dhënë për “France Football”, revistën e njohur sportive franceze, e cila organizon çmimin prestigjioz të “Topit të Artë”. Ylli portugez, që merkaton e verës së këtij viti braktisi “Santiago Bernabeu” për Juventusin, la të kuptohet se marrëdhënia që kishte me Florentino Perez nuk ishte shumë e mirë.
CR7 ka zbuluar një ndryshim në marrëdhëniet e tij me presidentin e Real Madridit, i cili e bindi atë për t’iu bashkuar Real Madridit për një periudhë mbresëlënëse 9-vjeçare. Portugezi, i cili iu bashkua “Zonjës së Vjetër” në Seria A për rreth 100 milionë euro në korrik, u bë kryegolashënuesi i “Los Blancos” në histori, i ndihmoi ata të fitonin 15 trofe të mëdhenj, duke përfshirë katër Champions dhe dy tituj të La Liga-s.
Klubi madrilen pretendoi se transferimi i pesë herë fituesit të “Topit të Artë” ishte i nxitur “sipas vullnetit dhe kërkesës së lojtarit”. “E ndjeva ftohjen nga brenda klubit, veçanërisht nga presidenti, se nuk më konsideronin me të njëjtën mënyrë, sikurse bënë në fillim, tha Ronaldo. Në katër apo pesë vitet e para atje, kisha ndjenjën se jam “Cristiano Ronaldo”. Më pas gjërat ndryshuan disi, pak e nga pak.
Presidenti më shihte me sy që nuk donin ta thoshin gjënë e njëjtë, sikur nuk kisha më rëndësi dhe vlerë për ta, nëse e dini çfarë dua të them. Kjo situatë më bëri të mendoj largimin.

Nganjëherë, i lexoja lajmet që thoshin se unë po kërkoja largimin. Kishte pak të vërtetë në këtë, po e vërteta është se gjithmonë e kam pasur përshtypjen se presidenti nuk do të më mbante.
Nëse do të kishte qenë në lidhje me paratë, do të shkoja në Kinë, ku do të kisha fituar pesë herë më shumë se këtu, te Juventusi, apo te Real Madridi. Unë nuk kalova te Juve për paratë. Kam fituar të njëjtën shumë edhe në Madrid, nëse jo më shumë. Dallimi është se te Juve, me të vërtetë më donin mua. Ata ma thanë dhe ma bënë të qartë këtë”.
I pyetur nëse vendimi i trajnerit Zinedine Zidane për ta lënë drejtimin e Real Madridit pas fitimit të tre Champions-ve radhazi kishte ndikuar në lëvizjen e tij, Ronaldo tha: “Vendimi im për t’u larguar nuk ishte i lidhur me largimin e tij. Duke qenë kështu, është një nga ato gjëra të vogla, që më bënë të ndihem pak më mirë në lidhje me atë që mendova për situatën në klub”.
33-vjeçari portugez, i cili shënoi 44 gola për Real Madridin në sezonin e kaluar dhe ka 7 gola me Juventusin këtë sezon, është duke synuar të fitojë “Topin e Artë” për vitin e tretë radhazi. “Unë mendoj se e meritoj atë edhe këtë vit… Po ëndërroj ta fitoj “Topin e Artë” për herë të gjashtë, duke e kaluar, në këtë rast, Lionel Messin”, përgjigjet me sinqeritet CR7.
Ronaldo është subjekt i një hetimi penal nga policia e Las Vegas-it dhe një procedimi civil, pas një akuze për përdhunim, të bërë kundër tij nga Kathryn Mayorga.

“Unë e kam mohuar fuqishëm akuzën”, thotë Ronaldo, referuar pretendimeve të Kathryn Mayorga, tani 34-vjeçare, për gjëra të ndodhura në verën e vitit 2009.
Ajo pretendon se futbollisti e sulmoi seksualisht në një hotel në Las Vegas, më 2009, më pas përdori pagesat e majme financiare (375 mijë dollarë) për ta bërë të heshtë dhe të mos ngrejë akuza penale në gjykatë. Policia konfirmoi se çështja fillestare u mbyll në vitin 2009, për shkak se Mayorga nuk zbuloi detaje, por u rihap në shtator 2018, pasi u publikua nga mediat.
“Sigurisht, kjo histori po ndërhyn në jetën time, – tha Ronaldo. – Kam një partnere, katër fëmijë, një nënë në moshë, motrat, një vëlla, një familje, me të cilët jam shumë i afërt. Për të mos përmendur reputacionin tim… Imagjinoni se çfarë do të thotë kur dikush ju akuzon për përdhunim, nëse jeni shembull për të tjerët. Unë e di se kush jam dhe çfarë bëra.
E vërteta do të dalë një ditë. Dhe njerëzit që më kritikojnë, ose kërkojnë ta ekspozojnë jetën time sot, që e bëjnë këtë si në një cirk, do ta shohin të vërtetën. Pasi doli në media kjo histori, i dhashë shpjegime partneres aktuale, birit tim, Cristiano Jr. Ai është shumë i ri për të kuptuar, ndaj i vjen keq për mua. Nëna dhe motrat e mia janë të habitura dhe në të njëjtën kohë shumë të zemëruara. Eshtë hera e parë që i shoh në këtë gjendje”.

416748 TS 19 09 18 5947501688  1