PD: Kush e bllokoi të enjten arrestimin e Dakos? As Rama dhe as vasaliteti i Prokurorisë nuk do ta shpëtojnë nga burgu

Partia Demokratike deklaroi se kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako do të arrestohej të enjten por se dikush e bllokoi policinë.
Sekretari i grupit parlamentar të PD, Gent Strazimiri deklaroi sot se as kombinacionet brenda qeverisë, as vasaliteti i prokurorisë ndaj Edi Ramës nuk do ta shpëtojnë nga burgu “xhuxhin” e bandave në Bashkinë e Durrësit
Sipas tij, “Kamikazët e Edi Ramës në Prokurori nuk thonë: Kush po e mbron Vangjush Dakon nga Forca e Ligjit”.
Deklarata e plotë e Strazimirit
Vangjush Dako ka qindra faqe përgjime me bandat në Durrës.
Ka qindra telefonata me bandat, me të cilat bën pazar për blerjen e votave, në këmbim të favoreve, lejeve, punësimeve, tenderave, pasurive publike të Durrësit.
Në fund i falënderon për “kontributin” në rezultatin elektoral të Partisë.
Përgjimet e bëra publike deri tani janë vetëm fillimi.
Ato nuk janë as 1 përqind e aktivitetit kriminal të Vangjush Dakos, por përgjimet faktojnë se një ditë para zgjedhjeve, më 24 qershor, bandat e shtabit elektoral të Ramë kanë blerë vota për tepsinë e Edi Ramës.
Përgjimet provojnë se dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor, Vangjush Dako ka komunikuar përsëri me bandën e Avdylajve që i bleu votat, duke kërkuar takim me shefin e bandës për ta falënderuar dhe për të vazhduar pazaret në tepsinë e Edi Ramës.

Vangjush Dako pranon publikisht se në cilësinë e “supermenit” që njeh çdo qytetar të Durrësit, me adresë dhe numër familjarësh, madje më mirë dhe më shpejt se sistemi elektronik i gjendjes civile, ka komunikuar me përfaqësuesit e “familjeve të mëdha e të fuqishme”, me vetëdije të plotë që fuqia në Durrës është në duart e familjeve mafioze.
Vangjush Dako pranoi edhe publikisht se për shkak të kontakteve me ta, ka arritur “rezultat historik si drejtues politik i Partisë Socialiste” në Durrës.
Në një shtet normal, Vangjush Dako duhej të ishte arrestuar “live”, në studio por jo!
Pavarësisht këtyre fakteve, Prokuroria nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje Vangjush Dakon.
Kamikazet e Edi Ramës ne Prokurori nuk thonë:
-Kush po e mbron Vangjush Dakon nga Forca e Ligjit.
-Kush e bllokoi të enjten arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit?
Vangjush Dako sot duhet të ishte në burg, njësoj si Arben Ndoka dhe Arben Çuko! Ata janë pjesë e të njëjtës dosje me numër 339!
As kombinacionet brenda qeverisë, as vasaliteti i prokurorisë ndaj Edi Ramës nuk do ta shpëtojnë nga burgu “xhuxhin” e bandave në Bashkinë e Durrësit.

FOTO NICE 1

FOTO NICE 2