Pas “Xhuxhit” del në skenë edhe “Rrumi”

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka përmendur gjatë një takimi në Manzë të Durrësit emrin e një personazhi të papërfolur me nofkën “Rrumi”.
Basha ka lënë të kuptohet se “Rumi” është një gangster me influencë në rrethinat e Durrësit, sidomos në zonën e Manzës dhe ka thënë se Vangjush Dako bashkëpunon ngushtë më të.
‘Ky është realiteti i Manzës, i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë dhe zhvillimet e 24 orëve të fundit sikundër zhvillimet e fundit të këtij muaji apo të këtyre viteve ka nxjerrë në pah pse ndodh kjo.
Sepse vendi nuk qeveriset nga një qeveri e dalë nga vota juaj.
Vendi nuk qeveriset nga një qeveri dhe një kryeministër i zgjedhur me votën e popullit. Kur vjen në pushtet me kërcënimet e Rrumit…
Rrumi e ka ky që bënte kërcënime për zgjedhje në këtë zonë… një ushtar i Xhuxhit. Qenka në Sukth.
Pra kur vjen në pushtet mbi zullumet e Rrumit e të Gjush Dakos, mendjen e ke të punosh për Rrumin dhe Gjush Dakon dhe për bandat e tjera të Durrësit dhe Shijakut.
Nuk të shkon mendja për njerëzit e thjeshtë, për hallexhintë, për fermerët, për të papunët, për rininë.
I vetmi shqetësim i një qeverie të dalë nga krimi dhe kjo nga vota e qytetarëve është se si të vazhdojë të ndihmojë krimin dhe të bëjë biznes me krimin.
Ky pra është problem i të gjitha problemeve i cili ka shpërthyer si asnjëherë më parë nga skandalet e ditëve të fundit’, u shpreh Basha në Manzë.
Kjo është hera e parë që Basha përmend këtë personazh.
Siç ndodhi edhe 5 muaj më parë kur përmendi për herë të parë fisin Avdulaj dhe siç rezultoi më vonë, Basha i posedonte këto dhëna nga përgjimet dhe materialet e dosjes hetimore.