Pas Xhafës, do të “pritet” edhe koka e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

240

Pas Fatmir Xhafajt shkarkohet edhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Lajmi është bërë i ditur për SYRI.net nga burime të sigurta.
Sipas tyre, Veliu do të shkarkohet nga Edi Rama, ndërsa vendimi do të behet publik pas pak.
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka hyrë për të fundit sot në Ministri në orën 11:50, dhjetë minuta para një takimi me drejtuesit e institucionit dhe të Policisë së Shtetit. Gazetarë të shumtë e kanë pritur Xhafajn dhe i kanë kërkuar një prononcim, por ai me buzëqeshje të sforcuar ka çarë gardhin e tyre duke thënë:
“Kjo është hera e parë që vij me vonesë në punë pasi kalova një mëngjes shumë të këndshëm me familjen e tij, bashkëshorten dhe mbesën. Të dytët po ju takoj ju dhe më vjen mirë, ju falënderoj për mbështetjen”. Këto kanë qënë të vetmet fjalë të ministrit, që duket se ka bërë hyrjen e fundit në institucionin që drejton prej një viti.
Mëngjesin e sotshëm u njoftua dorëheqja e tij nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendësimi me gjeneral Sandër Lleshin.