Nishani: Steka tani është tek Kryeministri, si do të largohet

Ish-presidenti Bujar Nishani tregon një tjetër version se çfarë ka ndodhur brenda Partisë Socialiste që solli dorëheqjen e Fatmir Xhafajt.
Duke iu referuar aludimeve për një luftë të brendshme në PS, ai tha sot në emisionin “Kjo javë” në Neës24 se në bazën e PS ka qarkulluar zëra se Xhafaj, Tahiri dhe të tjerë po komplotojnë kundër Edi Ramës. Ai u shpreh se kjo është një mendësi e përhapur nga Rama me qëllim justifikimin e shkarkimit.
Nishani tregoi dhe mënyrën e vetme sipas tij që situata të normalizohet.
“Unë jam qytetar i këtij vendi dhe nuk ndihem mirë kur jo vetëm unë por edhe fqinjët tanë tregojnë se modeli i komunikimit në Shqipëri i ngjan një kupole të mafies. Pra është shantazhimi i njëri-tjetri përmes materialeve kompromentuese. Këto janë materiale të aferave të rënda sepse të gjitha aferat e bëra publike deri sot konvertojnë në një kanal të vetëm, politikë me grupe kriminale. Kryeministri e ka sjellë situatën në modelin më të zi të mundshëm. Ka vetëm një mundësi që të rregullojë sado pak nga kjo katrahurë që ka bërë, të largohet sa më parë që Shqipëria të bëjë kthesën e madhe dhe të fillojë rrugën drejt normalizimit.

Ka rreth dy muaj që në bazën socialiste po flitet që Xhafaj, Tahiri e të tjerë po komplotojnë kundër Edi Ramës dhe kryeministri i ardhshëm do ishte Xhafaj. Po mendoj se është një mendësi e përhapur nga Rama që kur të vinte puna të thoshte se hoqëm se po komplotonte kundër kryeministrit.
Steka tani është tek kryeministri. Ka vetëm një mundësi të shpëtojë nga ajo katrahurë që ka bërë. Pasi i kanë ikur dy ministra të brendshëm i është vërtetuar katërcipërisht blerja e votës nga grupet kriminale atëherë ku njeri duhet sa më parë të largohet. Nëse nuk e bën është mision i opozitës t’i prijë një aksioni qytetar për ta larguar”, deklaroi Nishani.
Ai theksoi se modeli i qeverisjes, është një model që e ka sjellë vendin në kaos dhe do e çojë në greminë. Nëse kryeministri nuk largohet në këtë situatë që i ka sjellë Shqipërisë atëherë presioni qytetar duhet ta detyrojë atë të largohet dhe t’i hapë rrugën njerëzve të përgjegjshëm.
“Krimi ekziston bashkë me shoqërinë. Por ka një dallim thelbësor. Nëse deri para kësaj qeverisje krimi kishte frikë nga shteti, i fshihej shtetit, i cili e godiste herë me sukses e herë pa sukses sot është krimi që e përcakton në cilin drejtim duhet të ecë shteti”, u shpreh ish-presidenti.