Kush e vuri në lëvizje “Dosjen 339” cili është roli i faktorit ndërkombëtar dhe pse dështoi Xhafa?

Kryetari i PD Basha ka deklaruar se faktori ndërkombëtar ka kërkuar arrestimin e Vangjush Dakos nga ish ministri i Brendshëm. Mes ndërkombëtarëve dhe Ramës, Xhafaj ka zgjedhur kreun e organizatës kriminale duke ikur me turp dhe i demaskuar si një shërbëtor i zellshëm i Ramës dhe jo si një bashkëpunues i ndërkombëtarëve.
Reagimi i plotë i Bashës
Tash dy vjet ne kemi denoncuar dosjen hetimore 339. Dosja hetimore 339 i vuri në lëvizje faktorin ndërkombëtar dhe e vuri me shpatulla pas muri Fatmir Xhafën. Faktori ndërkombëtar e detyroi atë të fillonte arrestimin e disa prej bandave kryesore të krimit me të cilat Edi Rama mori votat qershorin e vitit të kaluar.
U arrestuan Bajrat në Shkodër. U arrestuan Ndokët në Lezhë. U arrestuan Avdylët në Shijak. Por Fatmir Xhafaj, si një vasal i vërtetë i Edi Ramës nuk pati guximin të arestonte Vangjush Dakon, personazhin kryesor dhe kokën e shtabit të shitblejes së votave siç e dini fare mirë këtu në Manzë, në Sukth dhe në gjithë zonën e Durrësit.
Ky ishte momenti kur faktori ndërkombëtar e kuptoi se Fatmir Xhafaj nuk është gjë tjetër veçse një ushtar i bindur i Edi Ramës. Dhe ky ishte momenti kur Fatmir Xhafaj nuk kishte asnjë alibi për të qendruar në karrigen e ministrit të Brendshëm.
Iku me turp. Iku i demaskuar para faktorit ndërkombëtar si njeriu i cili në fund të fundit është i detyruar të zbatojë urdhërat e bosit të tij si një vasal i Edi Ramës.
Ndërkohë operacioni policor i nisur me insistimin e faktorit ndërkombëtar nxorri në pah dhe vërtetoi atë që ne si opozitë e kemi thënë prej ditës së parë.

Që prej 26 Qershorit të vitit të kaluar që zgjedhjet e vitit 2017, nuk ishin një proces politik por një process kriminal. Sepse Edi Rama nuk i fitoi këto zgjedhje por i shndërroi ato në një kasaphanë ku bandat e krimit të organizuar derdhën miliona euro të drogës dhe të korrupsionit qeveritar dhe frikësuan, shantazhuan, kërcënuan votuesit me qëllim për të siguruar pushtetin kriminal të Edi Ramës.
Dhe sot, e gjithë bota mbarë e di dhe e ka kuptuar, se përpara ka një kryeministër ilegjitim, nuk është thjesht dhe vetëm raporti i OSBE-ODHIR, i cili si asnjëherë tjetër faktoi përpara shqiptarëve dhe botës, në shqip dhe anglisht, se në Shqipëri nuk ka zgjedhje por shit-blerje votash me banda kriminale.
Nuk është thjesht raporti zyrtar i ministrave teknikë, i cili në më shumë se 700 faqe, dokumentoi shit-blerjen e votës, shantazhet, presionet, kërcënimet ndaj votuesve të thjeshtë, por tani janë edhe faktet ligjore të mbledhura nga vetë prokuroria në “Dosjen 339”, por edhe në dosje të tjera hetimore, që faktojnë se si Vangjush Dako, taulant Balla, Damian Gjuknuri, Arben Ahmetaj, Qazim Sejdini dhe të tjerë eksponentë të PS, në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar, e shndërruan procesin elektoral të vitit të kialuar në një masakër të vërtetë kriminale në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar.
Në çdo situatë tjetër një kryeministri që i plasin një nga këto skandale duhet të ishte larguar.
Shpresa e vetme e Edi Ramës sot është propaganda, është mashtrimi.

Por e vërteta është lakuriq në sytë e shqiptarëve.
Edi Rama e mbrojti dhe e mbajti Ilir Beqën hajdutin me çizme që shkeli mbi gjakun e të afërmve, pacientëve, foshnjeve shqiptare me korrupsionin galopant të shëndetësisë derisa u detyrua ta largojë për shkak të presionit opozitar.
E njëjta gjë me Sajmir Tahirin.
Ishte Partia Demokratike, ishte opozita, ishin qytetarët që qëndruan rreth nesh, që u kthyen në një forcë të pathyeshme që detyruan të largonte Sajmir Tahirin, e detyruan të largonte Arben Ndokën, Armando Prengën, Elvis Rroshin, e detyruan të largonte Fatmir Xhafën, nesër do të largojë me doemos, Vangjush Dakon dhe do ta çojmë në burg, aty ku e ka vendin.
Dhe nuk ka gjeneral, me apo pa spaleta ta shpëtojë, Vangjush Dako e ka vendin në burg, dhe në burg do të shkojë një orë e më parë, për korrupsionin, për vjedhjen, për bashkëpunimin me kriminelët, për shndërrimin e Durrësit, të kësaj treve fisnike, në një çiflig të krimit, aty e ka vendin bashkë me kriminelët e tjerë, ata që janë prapa hekurave dhe shumë të tjerë që do të rikthehen e do të përfundojnë aty.
Largimi i Fatmir Xhafës është vetëm një hap i rëndësishëm dhe domethënës në betejën tonë kundër krimit.
Pa e çliruar politikën nga krimi, nuk do ta çlirojmë dot ekonominë e cila ka rënë në kthetrat e bandave që grabisin prona, i vënë gjoba bizneseve, marrin sikur të jenë në pronë të “babës”, gjithçka që u del përpara, fitojnë të gjitha tenderat në kundërshtim me ligjin.