I quajti protestuesit “grup zoologjik”, paralajmërimi i fortë i deputetit për Ramën

Kryeministri Rama u prit me protesta në Kukës mbrëmjen e djeshme nën thirrjet, “Rama ik” dhe “Turp, turp”! Qytetarët qëlluan edhe me flakadanë në drejtim të Kryeministrit, ndërsa ky i fundit i quajti në fjalën tij si “grup zoologjik”.
Kjo ka bërë që të reagojë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, i cili teksa e akuzon Ramën për mendësi komuniste, e ka paralajmëruar atë për nisjen e një vale protestash për rrëzimin e tij.
Postimi i deputetit
Z.Kryeministër!
Teksa dëgjova etiketimin tuaj ndaj protestuesëve të djeshëm në Kukës dhe Has, “si grup kafshësh të kopshtit zoologjik”, menjëherë m’u kujtua një nga legjendat urbane të viteve 90, në kohën e protestave të para antikomuniste, ku thuhej se një nga pjestarët e familjes së diktatorit Hoxha ishte shprehur për shqiptarët: “U zgjuan kafshët”. Siç duket, reminishenca dhe mendësia komuniste ndaj atyre që nuk mendojnë si ju, që nuk ju duan, që nuk janë dakort me ju, qenka më e thellë seç duket. Ju e dini fort mirë z.Kryeministër që ajo zonë, është ndër trevat më vitale të shqiptarisë, ju e dini që kuksianët, tropojanët, hasjanët, janë ndër njerëzit me shpirtin më të lirë. Ju e dini fort mirë se i tillë ishte Hafzi Nela, i cili u var në agoni të rregjimit komunist pikërisht, sepse donte lirinë dhe fjalën e lirë, i tillë ishte Azem Hajdari, prijësi i lëvizjes studentore.
Ju e dini që Qarku i Kukësit është qarku më i varfër, ku varfëria, papunësia, emigracioni janë në nivele alarmante. E në të tilla kushte, ju duhet ta dini se jo të gjithë shqiptarët ndajnë të njëjtin mendim për ju, si sejmenët tuaj. Me këtë mendësi për banorët e Qarkut Kukës, për njerëzit që protestojnë, për fjalën e lirë, ju nuk mund të jeni kurrë kryeministër i gjithë shqiptarëve, ju nuk mund të jeni kurrë kryeministri që udhëheq lokomotivën tonë drejt Europës. Ju siguroj se, protestat e kukësianëve e hasjanëve do të jenë sipari nga ku do të fillojë uragani i protestave për largimin e mazhorancës tuaj varfëruese e shkatërruese për shqiptarët.