Vrasja mafioze në Shkodër, Policia në pikën zero!

Policia e Shkodrës duket se është në pikën zero sa i takon vrasjes mafioze të Fatbardh Licit 3 ditë më parë. Ajo që dihet është se automjeti që u gjet i djegur në Dobraç është i vjedhur në Tiranë. Burime pranë grupit hetimor thonë se puna e policisë është e përqendruar tek pista e hakmarrjes për vrasjen e Astrit Kurmemës e megjithatë prova nuk ka. Kjo mund të sjellë një tjetër vrasje pa autor dhe të pazbardhur në Shkodër.
Fatbardh Lici ishte duke pirë kafenë e mëngjesit në një nga lokalet që ndodhen në Unazën Perëndimore të qytetit, e njohur si ish-Poçeria në Kiras kur një person me maskë e qëlloi me kallashnikov dhe më pas u largua me mjetin tip ‘Benz’ që u gjend i djegur më vonë.
Ndërkohë policia bëri të ditur se, janë marrë rreth 18 persona në pyetje të cilët kanë dhënë vetëm dëshmi rutinë, ndërsa del se asnjë nga ato nuk ka ndonjë indicie kush mund të ketë qëlluar mbi 53 vjeçarin.
Dy telefonatat njëra pas tjetrës në sallën operative mëngjesin e së premtes, e para në orën 07.05 minuta dhe tjetra në orën 07.15 minuta, që fillimisht njoftuan për djegien e një mjeti në lagjen “Dobraç”, e më pas për vrasje në lagjen “Guerrile”, vunë në lëvizje efektivët sëbashku me ekspertët e kriminalistikës dhe drejtuesit e policisë.
Menjëherë dyshimet e tyre rezultuan të vërteta dhe ngjarjet kishin lidhje mes tyre. Brenda mjetit ekspertiza mësohet se nuk ka gjetur gjurmë, pasi djegia i ka zhdukur ato dhe për pasojë identifikimi i autorit do të jetë tejet i vështirë.
Pamjet e sigurisë që janë marrë nga kamerat e disa bizneseve përgjatë unazës janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e kriminalistikës, por gjasat që të kenë fiksuar dicka janë të pakta, pasi policia dyshon se autori për të ikur nga vendngjarja ka përdorur rrugicat dytësore, kjo për t’iu shmangur edhe përballjes me policinë.