Trump gjunjëzon lirën turke, zhvlërsim me mbi 40 për qind

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë marrë një goditje të fortë vitet e fundit dhe janë acaruar edhe më shumë në 2-3 javët e fundit si rezultat i përplasjes së interesave lidhur me konfliktin në Siri, synimet turke për të blerë një sistem rus të mbrojtjes dhe ndalimin e pastorit amerikan, Andrew Brunson. Pas tarifave amerikane të javës së kaluar që shkaktuan një rënie drastike të lirës turke, Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan ka reaguar me tone sfiduese duke kërcënuar se do të bojkotojë produktet elektronike amerikane:
Përplasjet diplomatike mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë thelluar krizën ekonomike turke dhe kanë shkaktuar një zhvlerësim rekord të lirës. Presidenti turk reagoi me një ton sfidues:
“Do të prodhojmë çdo produkt që e importojmë aktualisht me monedhë të huaj. Do të bëhemi ne vetë eksportues dhe do të bojkotojmë produktet amerikane. Ata kanë iPhonin, por të tjerë kanë Samsungun”, thotë presidenti i Turqisë.
Presidenti turk foli sot në Ankara duke siguruar audiencën se Turqia ka marrë masat e nevojshme për të mbrojtur ekonominë. Zoti Erdogan shtoi se përplasjet e fundit me Shtetet e Bashkuara janë pasqyrim i synimeve politike të Amerikës.
“Duhet të qëndrojmë të fortë në bindjet tona politike. Sulmi ekonomik që është ndërmarrë ndaj nesh nuk ka të bëjë fare me realitetin ekonomik, por është i motivuar nga synime të tjera. Prandaj edhe qëndrimi ynë duhet t’u përgjigjet këtyre synimeve”.

Presidenti Erdogan u bëri thirrje turqve të mos veprojnë të nxitur nga paniku duke këmbyer lirat turke për valutë të huaj. Një veprim i tillë do të ishte “dorëzim para armikut,” tha ai.
Komentet e presidentit pasojnë panikun në Turqi për zhvlerësime në masë të kursimeve e për fatin e investimeve, pasi lira ra mbi 40% këtë vit. Dje monedha turke arriti vlerën më të ulët kundrejt dollarit.
Problemet me monedhën turke ishin në fokusin e komenteve të ministrit të jashtëm rus në Takimin e Ambasadorëve dje në Ankara. Ai bëri thirrje për një sistem të ri monetary, ku dollari nuk shërben më si valuta e rezervave monetare të botës:
“Mendoj se me këtë përdorim të shfrenuar të dollarit në rolin e valutës së rezervave monetare botërore, dollarit do t’i bjerë gjithnjë e më shumë vlera. Një numër gjithnjë e më i madh vendesh, edhe ato që nuk janë goditur nga sanksionet amerikane, do të zgjedhin partnerë më të besueshëm dhe do të fillojnë të shkëmbejnë me monedhat e tyre kombëtare,” tha zoti Sergei Lavrov.
Në fjalën e tij, zoti Lavrov nuk përmendi nëse Rusia do të heqë dorë nga dollari në shkëmbimet tregtare me Turqinë, tani që lira turke ka shënuar rënie në nivele rekord.