Trafikanti më i rrezikshëm i drogës kishte mbrojtjen e Gramoz Ruçit, Taulant Ballës e Erion Veliajt

Nga Flamur VEZAJ

Manoli Irfan Bega, 48 vjeç, i njohur edhe me emra të tjerë si Edmond Bego, Mondi Bega, Saimir Sina apo si Belul Gjahtari kapet në Greqi për llogari të dënimit të dhënë nga Italia për trafik të drogave të forta në kuadër të organizatës kriminale, etj, etj!
Ai njihet nga gazetarët e kronikës dhe sportit si ish-president i ekipit futbollistik të Lushnjës, i emëruar nga “shefi” i tij tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm Aldo Bare, lidhjen me të cilin vazhdon ta mbajë duke “përfituar” me raste edhe shuma të mëdha parash në emër të “shefit” të tij që vazhdon të vuajë burgun në qelitë e Drenovës në Korçë!
48-vjeçari me disa emra, tashmë i rehabilituar në një biznesmen të suksesshëm i ndërtimit në Tiranë njihet edhe si një mik i ngushtë me politikanët si Gramoz Ruçi, Sadri Abazi e Taulant Balla! Por, kohët e fundit, shoqërisë së tij i është shtuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lali Eri, sidomos pas premtimit që i ka bërë biznesmenit të arrestuar për dhënien e tenderit të projektit të ri te Unaza e Re, projekti që do të bashkojë Shkollën Teknologjike me rrethrrotullimin Shqiponja, i prezantuar si një investimet më të mëdha infrastrukturore të Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë!
Të gjithë këta bashkë, dyshoj se e kanë ndihmuar biznesmenin me shumë emra dhe financuesin e fushatave njëherazi, krahun e djathtë të Aldo Bares, të mos arrestohet në Shqipëri prej vitesh edhe pse emri i tij rezultonte në kërkim në sistemin e Policisë!
Është njohja e tij me politikanët që ka “detyruar” gjykatat shqiptare që t’i ndryshojnë dënimin e dhënë në Itali me 11 vjet burg, duke ia konvertuar në Shqipëri në vetëm 4 vjet e 4 muaj burg, vendim ky që detyroi palën italiane të ndërpresë sjelljen në Shqipëri të njohjeve të vendimeve penale për shtetasit shqiptarë për shkak të uljes drastike të masave të dënimit!
Në përfundim, në bashkëpunim me mediat pranë pushtetit dhe personave të interesuar do të lexoni e dëgjoni se 48-vjeçari është arrestuar kot në Greqi pasi në Shqipëri ai nuk kishte arsye të arrestohet pasi e ka përfunduar dënimin falë procedurës së sjelljeve të mira dhe lirimit me kusht!