Si vidhen shqiptarët, Monstra ndan 22 milionë euro me Vilmën për 145 mijë analiza të pa kryera

– Korrupsioni i check up-it, 22 milionë euro për Vilma Nushin, 7 milionë euro për analiza të pakryera
– Rama, Beqja, Manastirliu ndajnë miliona euro me klientët, ndërsa mjekët dhe infermjerët ikin nga vendi
– PD do anullojë konçesionin e dështuar të check up-it dhe çdo konçesion tjetër korruptiv në kurriz të parave të shqiptarëve
Deklarata e deputetit të PD, Bardh Spahia
Në raportin e tij të fundit, Kontrolli i Lartë i Shtetit provoi si plotësisht të vërtetë denoncimin e Partisë Demokratike se koncesioni i check up-it është simboli i korrupsionit të konçesioneve të qeverisë “Rama”. Raporti i KLSH-së konfirmon se, pavarësisht se analizat e check up-it i ka kryer vetëm 26 % e popullsisë, kompania e Vilma Nushit, kliente dhe sponsore e Edi Ramës, është paguar me 22 milionë euro, 7 milionë prej te cilave për analiza të pakryera kurrë. Ky abuzim skandaloz me taksat e shqiptarëve për një shërbim të padhënë është vënë në dukje për të dytin vit rradhazi edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke theksuar dy linja korruptive që favorizojnë kompaninë sponsorizuese të kryeministrit.
Linja e parë është pagesa prej 2.1 milionë euro në vit, që KLSH e klasifikon si dëm në buxhet, sepse koncesioni i Vilma Nushit është paguar për rreth 145 mijë vizita të pakryera.
Linja e dytë korruptive është një skandal po aq i madh, që implikon Drejtorinë e Tatimeve, e cila, sipas KLSH-se, ka rimbursuar 1.8 milionë euro TVSH, për koncesionarin e check up-it, pavarësisht se ligji i përjashton shërbimet shëndetësore nga detyrimet tatimore.

Për t’u dhënë fund abuzimeve prej disa milionë eurosh, KLSH ka rekomanduar rishikimin e kontratës, nga e cila duhet të eliminohet pagesa për shërbimet e pakryera.
Deri tani qeveria nuk i ka zbatuar asnjë nga rekomandimet e KLSH-së, sepse koncesioni i “check-up”-it është ideuar prej fillimit si një grabitje për shqiptarët. Në një vend ku Prokuroria nuk do të ishte nën kontrollin e kryeministrit, zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Drejtorisë së Tatimeve sot, duhet të ishin në burg për abuzim flagrant me fonde publike në favor të një kompanie private, të lidhur direkt me kryeministrin!
Shëndetësia sot është më keq, sepse Edi Rama, Ogerta Manastirliu dhe Ilir Beqja kanë zgjedhur t’i japin miliona euro Vilma Nushit dhe klientëve të tjerë të qeverisë, në vend që të investojnë për të mbajtur në Shqipëri mjekët dhe infermierët, si dhe për t’u siguruar shqiptarëve shërbim shëndetësor me standarde.
Partia Demokratike është e vendosur të anullojë konçesionin e dështuar të check up dhe çdo konçesion tjetër korruptiv! Me ligjin e ndryshuar antimafia, çdo pasuri dhe qindarkë e grabitur, do t’u kthehet shqiptarëve! Partia Demokratike konfirmon dhe një herë publikisht se është e vendosur të anullojë konçesionin e dështuar të check up dhe çdo konçesion tjetër korruptiv në kurriz të parave të shqiptarëve.

bardh spahia