Rama e merr në mbrojtje anëtarin e bandës së Shullazit, PD: Pse nuk ka asnjë reagim nga Prokuroria?!

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për pengimin e drejtësisë edhe një herë tjetër, duke mos i hapur rrugë arrestimit të deputetit socialist Jurges Çyrbja, si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit.
Deputeti Ervin Salianji dha sot një deklaratë nga selia blu, ku tha: “Prej 24 orësh media ka bërë publike përgjimet e prokurorisë, ku deputeti i Edi Ramës në Shijak, Jurgis Çyrbja, faktohet si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtor për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme në emër të tij.
Në një përpjekje të dëshpëruar, deputeti i Edi Ramës mashtroi dje shqiptarët dhe u përpoq t’u hidhte hi syve për të shpëtuar veten.
Është e papranueshme sesi nga Prokuroria nuk ka asnjë reagim për komunikimet e përgjuara në mënyrë të ligjshme prej saj, ku deputeti I Edi ramës ka komunikuar të paktën dy herë në telefon me Gilmano Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit për çeshtjen e hotel Vollgës.

Kjo pronë është rregjistruar në pronësi të Emiljano Shullazit nga Jurgis Çyrbja, por ndryshe nga Shullazi që është në burg, Çyrbja është në parlament nën mbrojtjen e Edi Ramës.
Edi Rama, njësoj si prokuroria që ka në varësi, hesht prej 24 oresh. Pse e ka kyçur gojën Rama, i cili komenton edhe fustanet e grave, por jo lidhjet e deputetit të tij të Shijakut me bandën e Emiljano Shullazit?!
Edi Rama nuk flet për të dënuar lidhjet e krimit me politikën, sepse ai është arkitekti i bashkëqeverisjes me krimin, i cili e mban në pushtet.
Kështu po mbron Rama Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin, Mark Frrokun, Arben Ndokën, Armando Prengën dhe çdo lidhje të krimit brenda dhe jashtë parlamentit.
Shqiptarët duhet ta dinë që, nëse Edi Rama do të lejonte kukullat e veta në Prokurori të zbatojnë ligjin, në Kuvend duhet të kishte shkuar kërkesa për arrestimin e menjëhershëm të deputetit Jurges Çyrbja, anëtar i bandës së Emiljano Shullazit”.