Paralajmërimi i Ambasadorit të ri amerikan në Prishtinë për lojën e Thaçit me kufijtë

Diplomati veteran Philip Kosnett thotë se qëndrimi amerikan lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar.
Kosnett, i emëruar nga presidenti si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë, doli të enjten para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Senatori Chris Murphy e pyeti diplomatin lidhur me takimin që kishte zhvilluar në fund të korrikut ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq me këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner dhe komentet pas takimit kur Daçiq u shpreh se qëndrimi amerikan është tani “më pranë qëndrimit tonë” gjë që ka zgjuar shumë spekulime lidhur me ndryshime në qëndrimin amerikan. Senatori pyeti lidhur me spekulimet për mundësinë e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara për idenë e shkëmbimit të territoreve. Senatori kërkoi të dinte se çfarë instruksionesh kishte marrë diplomati lidhur me qëndrimin amerikan dhe nëse ky qëndrim kishte ndryshuar kohët e fundit.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes dy vendeve. Mendojmë se ka rëndësi kritike që të dyja vendet të avancojnë për të kapërcyer tensionet e vjetra. Ne besojmë se është me rëndësi kritike që dy vendet të jenë në gjendje të diskutojnë ide të reja. Kjo nuk është fjalë-kod për të mbuluar idenë e shkëmbimit të territoreve. Ne duam të shohim se çfarë idesh do të paraqesin dy qeveritë.

Synimi ynë strategjik afat-gjatë është të shohim stabilitet në rajon, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vjetra mes dy vendeve në forma që forcojnë lidhjet e dy vendeve me Perëndimin”, tha Kosnett.
Në prezantimin e tij, i emëruari i presidentit Trump renditi prioritetet e tij nëse konfirmohet si ambasadori i ardhshëm amerikan në Kosovë ku në radhë të parë ai veçoi shtimin e dialogut me Serbinë.
“Përparësia më imediate për Shtetet e Bashkuara është normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Kjo do të fuqizonte stabilitetin rajonal dhe do të shtronte terrenin për integrimin e dy vendeve në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun mes dy vendeve dhe intensifikimin e bisedimeve të nivelit të lartë. Nëse konfirmohem, do të nxis Kosovën të punojë për një zgjidhje që përmirëson jetët dhe garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”, tha Kosnett./VOA/