Kosova na e kalon në abuzimet me luftën, del me 17 herë më shumë veteranë

17 fish më i madh ka dalë numri i veteranëve të UÇK’së nga Shqipëria, se sa vërtet kishin marrë pjesë në luftë.
Nga 176, sa mendohej se ishin fillimisht, numri ka përfunduar në 3000 veteranë, e për një gjë të tillë dëshmon edhe komandanti i operacionit “Shigjeta”, Spiro Butka, raporton KTV.
Butka drejton Shoqatën e veteranëve të UÇK’së në Tiranë dhe i ka dëshmuar prokurorit Blakaj për mijëra veteranë të rremë.
Butka është një prej dëshmitarëve në aktakuzën e ish-prokurorit Blakaj ngritur ndaj 12 anëtarëve të komisionit qeveritar për njohje dhe verifikim të statusit të veteranit.
Përveç tij, janë edhe 5 persona që dëshmojnë për rritjen enorme të numrit të veteranëve, përfshirë Sami Lushtakun, ish-komandant i Zonës së Drenicës.
Blakaj aktakuzën e tij e kishte ngritur kundër 12 personave, ndër ta ish-komandantë të UÇK’së e zyrtarë të tjerë si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj e Shukri Buja.
Sipas aktakuzës, mbi 19 mijë persona kanë përfituar statusin e veteranit, pa qenë fare pjesëmarrës në luftë, që në vit i kushtojnë buxhetit mbi 38 milionë euro.
Aktakuza e ish-prokurorit Blakaj, për më shumë se 1 muaj, mbetet në Prokurorinë Speciale, ndërsa Blakaj, në fillim të kësaj jave, dha dorëheqje nga ky institucion.