Juventus fiton me vuajtje, Allegri: Ronaldo më befasoi!

246

Ka qenë një hapje drithëruese se sezonit të ri të Serisë A për Massimiliano Allegri-n, i cili është në vitin e tij të pestë në drejtim të Juventus. Bardhezinjtë kanë vuajtur, por në fund kanë fituar 3-2 në fushën e Chievo-s.
“Kam parë gjëra pozitive dhe negative. Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë, më pas kemi ulur pak ritmin dhe kjo nuk mund të bëhet: kur krijon raste, duhet t’i shfrytëzosh, duhej të kishim shënuar golin e dytë dhe të tretë. Gjithsesi, ndeshjet e para janë gjithmonë të rrezikshme”, ka thënë Allegri pas ndeshjes.
Nuk mund të mungonte edhe një analizë për paraqitjen e Cristiano Ronaldo: “Ka kërkuar disa herë portën, më vjen keq që nuk ka shënuar, por Sorrentino ka bërë një punë shumë të mirë. Më ka bërë përshtypje fakti që është vënë në dispozicion të ekipit. Në fund, ai ishte i kënaqur për fitoren. Duhet të mësojmë ta njohim më mirë dhe ai duhet të njohë më mirë skuadrën”, ka përfunduar Allegri.
Juventusi gjeti avantazhin që në minutën e tretë, me anë të Sami Khedirës, ndërsa Chievo barazoi në të 37-ën, me golin e shënuar nga Stepinski, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-1.
45-muinutëshi i dytë fillon vrullshëm për veronezët, që kalojnë në avantazh me anë të një ish juventini, Giacherinit, por bardhezinjtë kurrsesi nuk mund të pajtoheshin me këtë rezultat.
Fillimisht ishte një autogol i Banit në minutën e 75-të, që riktheu baraspeshën dhe më pas, në minutën e dytë shtesë ishte Bernardeschi, që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe për skuadrën e Allegrit.
Juventusi e nis kështu me fitore kampionatin, ndonëse mes shumë vuajtjesh ndaj Chievos, ndërsa Cristiano Ronaldo dështon të lërë gjurmë në debutimin e parë zyrtar.