Eksperti gjerman, Michael Leigh dyshon se projekti i ndarjes së Kosovës vjen nga Rusia dhe Kina

Deutsche Welle: A është larguar Brukseli dhe Uashingtoni nga politikat e mëparshme që mbështesnin sovranitetin e Kosovës dhe intergritetin territorial?
Michael Leigh: Do të ishte gati e pamundur në Bashkimin Evropian të gjendej një konsensus në favor të ndryshimit të staus quo-së territoriale midis Serbisë dhe Kosovës. Ideja e njohjes së Kosovës në këmbim të përkatësisë territoriale nuk ka gjasa të përkrahet nga serbët dhe kosovarët ose të përkrahet nga pesë vendet anëtare të BE-së, që kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës. Ndarja bazohet në kërkim të puritetit etnik dhe jo nevojës për të jetuar së bashku në një shoqëri multietnike. Kjo mënyrë për arritjen e gjërave ka pasur një histori tragjike në Ballkan dhe nuk përputhet me principet e BE-së. Shtetet anëtare do të jenë shumë vigjilente sa i përket rritjes së presioneve nga jashtë, duke pasur parasysh rolin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkan.
Deutsche Welle: Organizata të shoqërisë civile nga Serbia dhe Kosova janë duke i kërkuar BE të bëjë një deklaratë të qartë kundër ndarjes së Kosovës ose këmbimit të territoreve. Çfarë ka ndër mend të bëjë Bashkimi Evropian?
Michael Leigh: Mbetet të shihet nëse shtetet anëtare që janë tradicionalisht në favor të Serbisë do të ishin të gatshme të aprovonin një deklaratë të tillë.
Deutsche Welle: Çfarë është paraparë nga vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, Spanja Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia? A do të çonte një marrëveshje për ndarjen automatikisht në njohjen e Kosovës?
Michael Leigh: Kundërshtimet e pesë vendeve të BE-së, që nuk e njohin shkëputjen e Kosovës, janë të lidhura me dilemat politike që ata kanë në vendet e tyre dhe nuk kanë domosdoshmërisht si qëllim mbështetjen e Serbisë. Këto kundërshtime do të vazhdojnë të ekzistojnë për një periudhë të konsiderueshme edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës.
Deutsche Welle: Kush mund të garantojë se Kosova do të marrë një vend në Kombet e Bashkuara nëse arrihet ndonjë marrëveshje?
Michael Leigh: Ky synim ka të ngjarë të mbetet një aspirate e papërmbushur në një të ardhme të afërt, megjithëse mund të krijohen forma të ndryshme bashkëpunimi.

Michael Leigh është ekspert për politikat evropiane në Fondin Marshall Gjerman. Fondi Marshall Gjerman i Shteteve të Bashkuara (GMF) është një organizatë joqeveritare e krijuar nga Gjermania për të kujtuar Planin Marshall. Organizata ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndëratlantik.