Droga shqiptare “përmbyt” Greqinë

Greqia alarmohet nga trafiku i drogës nga Shqipëria. Shifrat zyrtare të Policisë greke tregojnë për një rritje masive të sasive të sekuestruara të hashashit në veri të vendit fqinj, në zonën e Epirit dhe kryesisht në Janinë, shkruan gazeta e madhe “Kathimerini”.
Gjithashtu kjo gazetë në përmjet një artikulli të fundit thotë, se pjesa më e madhe e lëndëve narkotike vjen nga Shqipëria, për t’u shpërndarë më pas në pjesën tjetër të Evropës. Hashashi kalon nga kufiri shqiptaro-grek përmes rrugëve të ndryshme.
Sipas një raporti të policisë greke, grupet kriminale kanë sofistikuar edhe format e trafikimit. Lënda narkotike fshihet në objekte dhe materiale të ndryshme. Për vitin 2016, policia greke ka sekuestruar në zonën e Epirit 2.7 ton hashash, ndërsa në vitin 2017 kjo shifër ishte 9.2 ton.
Vihet re një rritje prej 232% e rasteve të trafikut të drogës, që janë goditur nga policia greke. Kurse gjatë këtyre muajve për vitin 2018 janë kapur 961 kg drogë në Janinë dhe 300 kg në zonën e Thesprotisë.
Në të gjitha këto aksione ka pasur 306 të arrestuar, kryesisht shqiptarë. “Kathimerini” shkruan se për të goditur trafikun e drogës në kufirin greko-shqiptar, policia vepron në grupe të vogla dhe fleksible.
Një pjesë e goditjeve ndaj grupeve kriminale bëhen pikërisht në kufirin e gjelbër. Në bazë të informacionit që kanë autoritetet helene, nëse të dyshuarit kalojnë prefekturën e Janinës, atëherë forcat policore mobilizohen në zonën e dytë, kryesisht në Arta ku përmes postblloqeve arrestohen në flagrancë transportuesit e lëndëve narkotike.
Për të luftuar këtë fenomen kriminal, në ndihmë të autoriteteve që “luftojnë” në kufirin e gjelbër me trafikantët, janë shtuar edhe punonjësit e “Frontex”.