Bilanc lufte! 25 të vrarë në 15 ditë

Fatkeqësisht nuk mjaftojnë gishtat e dy duarve për t’i numëruar, por 15 ditët e para të gushtit rezultojnë me një bilanc lufte, për numrin e viktimave në Shqipëri.
Nga ngjarja më e rëndë në dy dekadat e fundit të ndodhur në Shqipëri, masakra e Selenicës, tek vrasjet mafioze dhe aksdientet fatale, 25 shqiptarë kanë humbur jetën.
***
15 gusht- Arben Marku, 46 vjeç, është hedhur për tu larë në lumin Mat dhe nuk ka dalë në breg.
14 gusht- Një 55-vjeçar është përplasur për vdekje nga një makinë në fshatin Portëz të Fierit. Automjeti tip “Opel” që drejtohej nga 20-vjeçari Gelsion Pajo ka aksidentuar 55-vjeçarin Y.A, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit.
11 gusht- Një fëmijë 6 vjeç është përplasur për vdekje nga një automjet në Divjakë. 35-vjeçarja Maela Matarangasi, banuese në Tiranë, që drejtonte një automjet tip “Benz” ka përplasur fëmijën në qendër të qytetit, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë menjëherë.
11 gusht-Një aksident i rëndë i ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Pukë, pikërisht në vendin e quajtur ‘Kthesa e Gomsiqes” i ka marrë jetën një personi dhe një tjetër është plagosur. Sipas policisë nga aksidenti ka mbetur i vdekur drejtuesi i mjetit Fredi Fishta.
10 gusht- Tetë persona, mes tyre edhe 2 fëmijë, anëtarë të një familje, janë ekzekutuar me gjakftohtësi nga një 24-vjeçar në Selenicë të Vlorës. Autori i krimit, 24-vjeçari Ridvan Zykaj, ekzekutoi me “Kallashnikov” kushërinjtë e tij, anëtarë të dy familjeve.

Viktimat janë dy vëllezërit Azem Zykaj 45 vjeç, Besim Zykaj 43 vjeç, bashkëshortet e tyre Aferdita Zykaj 42 vjeçe Vasilika Zykaj 42 vjeçe, prindërit e tyre Demir Zykaj 75 vjeç, Perije Zykaj 72 vjeçe dhe fëmijët Sara Zykaj 16 vjeçe dhe Ledion Zykaj 8 vjeç.
10 gusht- Plot 15 plumba janë shkrepur në drejtim të Fatbardh Licit, mëngjesin e 10 gushtit në qytetin e Shkodrës. Në momentin kur u qëllua me breshëri automatike, 53 – vjeçari ishte duke pirë kafenë e mëngjesit në një nga lokalet që ndodhen në Unazën Perëndimore të qytetit, e njohur si ish-Poçeria në Kiras.
9 gusht-Një adoleshent ka humbur jetën pasi u hodh për t’u larë në lum. Ngjarja ka ndodhur në lumin e Matit. 14-vjeçari u hodh nga “Ura e Zogut” për t’u larë në lum. Mirëpo hedhja rezultoi fatale për adoleshentin, i cili u mbyt në ujërat e lumit.
8 gusht- E mërkura e 8 gushtit ishte tragjike për një vogëlushe 7-vjeçare, nënën dhe motrën e saj. Ato u përplasën nga një makinë ‘Benz’ që drejtohej nga 38-vjeçarja Rozina Koleci. Automjeti lëvizte me drejtim nga Tirana drejt Kamzës kur devijoi nga rruga në krahun e majtë.
Drejtuesja humbi kontrollin duke aksidentuar për vdekje fillimisht 29-vjeçarin Ramazan Isha, i cili ishte duke lëvizur me biçikletë. Ai ndërroi jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra. Më pas automjeti kaloi mbi trotuar duke lënë të vdekur edhe vajzën 7 vjeç që ishte me nënën dhe motrën.
7 gusht- Një djalë i ri ka humbur jetën në një aksident automobilistik të ndodhur në zonën e Saukut në Tiranë. 27-vjeçari Ervin Preçi, që ishte pasagjer në automjetin tip “Benz” që doli nga rruga, ka humbur jetën menjëherë.

7 gusht- Aksident me vdekje në aksin rrugor Fier-Roskovec, në fshatin Zharrëz. 43-vjeçari me inicialet F.T, 43 vjeç, banues në Roskovec, duke drejtuar mjetin tip Benz Kamion, ka aksidentuar për vdekje E.D, 48 vjeç.
6 gusht- Bashkëshortja e një punonjësi policie është gjetur e vdekur brenda banesës së saj. Vdekja i është shkaktuar nga plagë me armë zjarri. Viktima është Merita Hajdari 47 vjeç, bashkëshortja e oficerit Sherif Hajdari. Ajo u vetëvra me armën e bashkëshortit.
3 gusht- Një burrë gjeti vdekjen gjatë orëve të natës, teksa udhëtonte me tragetin e linjës Bari-Durrës. 58-vjeçari Isa Koni u ndje keq nga shëndeti dhe kërkoi ndihmë, por në traget nuk kishte staf mjekësor.
2 gusht- Në aksin rrugor Shkodër – Koplik, një automjet ka përplasur për vdekje një kalimtar. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Shtoj i Ri.
2 gusht- Makina përplas për vdekje këmbësorin pranë fshatit Grezhdan.
2 gusht- Enkelejda Hallunaj, bashkëshortja 37-vjeçare e gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj ka rënë nga kati i 8-të i pallatit ku banonte, në kryqëzimin mes rrugës “Nikolla Tupe” dhe “Vaso Pasha”, në zonën e ish-Bllokut.
2 gusht- Një 20-vjeçar ka ndërruar jetë, pasi motori me të cilin po udhëtonte ka dalë nga rruga dhe për pasojë është përplasur me një shtyllë.
1 gusht- Një këmbësor është përplasur për vdekje nga një automjet në qytetin e Fierit. Automjeti është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesin. /Gsh/