Balla në hetim ndërkombëtar për drogën? U përgjua në numrin e Begos 0682049189, si i jepte tenderat

Balla ka rënë në rrjetën e përgjimeve përmes të dënuarit në Itali me 21 vite burg, Edmond Bego. Përmes këtyre përgjimeve dalin qartë edhe tenderat që Balla i jepte si sekser Begos.
Nënkryetari i Grupit Paralmentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat ditën e sotme ka thënë se heshtja nuk e shpëton dot Taulant Ballën.
Në deklaratën e tij, Alibeaj ka akuzuar Ballën për një lidhje me të shumëkërkuarin i cili ra në pranga pak ditë më parë në Igumenicë, Edmond Bego.
Nënkryetari i PD-së tha se Balla duhet të tregojë se sa herë ka komunikuar me Edmond Begën në numrin e telefonit 0682049189 dhe a është sekser për miliona euro punë publike të marra nga kompania e ndërtimit të narkotrafikantit biznesmen.
Më tutje Alibeaj ka deklaruar se ashtu si Balla edhe kryeministri i vendit, Edi Rama ka preferuar të heshtë në këtë lidhje të poltikës me krimin e cila duket qartazi në sytë e shqiptarëve.
Deklarata e plotë
“Qeveria në pakt me krimin, parlamenti i varur nga krimi, policia e drejtuar nga krimi dhe prokuroria nën urdhrat e krimit po heshtin për t’i dhënë kohë numrit dy të Partisë Socialiste, që të mbulojë me harresë akuzat publike për lidhjet e tij me trafikantin e rrezikshëm ndërkombëtar të drogës, Mond Bega.
Në vend që policia t’u thotë shqiptarëve pse autoritetet greke kanë arrestuar dhe kanë vendosur të mbajnë në burg narkotrafikantin me lidhje politike, policia hesht.
Në vend që prokuroria të nisë menjeherë hetimet për të zbardhur arsyet e mosveprimit të Policisë së Shtetit ndaj trafikantit të shndërruar në biznesmen të fuqishëm ndërtimi, prokuroria hesht.

Ne vend që Edi Rama t’i kërkojë Taulant Ballës të sqarojë pozicionin e tij, Edi Rama hesht.
Në vend që Taulant Balla t’u përgjigjet pyetjeve, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, hesht, me shpresën se gjithçka do të harrohet.
Taulant Balla dhe padroni i tij, Edi Rama, e kanë gabim.
Shqiptarët dhe partnerët tanë janë bindur se Shqipëria është kthyer në parajsën e krimit të organizuar, për shkak të lidhjeve direkte me drejtuesit më të lartë të pushtetit.
Duke përfaqësuar pjesën më të mirë dhe më të madhe të shoqërisë që nuk pranon të qeveriset nga krimi, Partia Demokratike nuk do të heqë dorë nga misioni i saj për të shkëputur krimin nga politika.
Policia e Shtetit dhe prokuroria duhet t’u thonë shqiptarëve:
Si është e mundur që një trafikant ndërkombëtar droge, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane arrestohet nga Policia greke, por jo nga Policia shqiptare?
Çfarë e pengon prokurorinë të zbatojë ligji Antimafia për sekuestrimin e pasurisë dhe bisneseve të trafikantit ndërkombëtar të drogës Mond Bego?
Ndërsa Taulant Ballën nuk e ndihmon dot fshehja pas mashtrimeve të trasha të zëdhënësit të krimit në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, i cili tha dje se trafikanti i drogës ishte liruar menjëherë nga drejtësia greke.
Taulant Balla duhet t’u shpjegojë shqiptarëve:
Çfarë e lidh me trafikantin e drogës, të shndërruar në biznesmen të fuqishëm këto dy vitet e fundit?
Sa herë ka komunikuar me Edmond Begën në numrin e telefonit 0682049189?
A është Taulant Balla sekser për miliona euro punë publike të marra nga kompania e ndërtimit të narkotrafikantit biznesmen?Këtyre pyetjeve Taulant Balla nuk u shpëton dot. Drejtësia vonon, por nuk harron!”