Arrestohet bosi i “Ndranghetës”, kishte lidhje me mafian shqiptare të drogës (Foto)

Mëngjesin e sotëm policia italiane ka arritur të vërë në pranga bosin e mafias kalabreze, Ndrangheta. 29-vjeçari Luigi Abbruzzese, i cili kërkohej intensivisht që nga viti 2015.
Abbruzzese ishte përfshirë në listën e të kërkuarve më të rrezikshëm. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua nga ekipet e policisë në Cosenza dhe Catanzaro, me mbështetjen e Policisë Shkencore. Në momentin e ndalimit ai kishte me vete 2 armë, municion dhe një dokument të rremë.1534610101 luigi
Abbruzzese ishte dënuar me 20 vjet burg për trafik droge. Ministri i Brendshëm Matteo Salvini theksoi suksesin me një postim në Twitter: “Sot në agim, në provincën e Cosenza, policia arrestoi bosin e Ndrangheta Luigi Abbruzzese, i kërkuar për vite me radhë. Krenar për forcat tona policore, jam i sigurt se bashkë me ta do të përzëmë mafiozët nga çdo zonë e vendit“.
Ndërsa prokurori i Antimafias, Nicola Grateri, është shprehur se ai ishte i lidhur edhe me trafikantë kolumbianë, afganë dhe shqiptarë.
“Luigi Abbruzzese nuk është një dosido, por shefi i Cassano-s, ku është një ‘Ndrangheta që lidhet me atë të Gioia Tauro. Ai mund të krijonte raporte të drejtpërdrejta me trafikantët kolumbianë, afganë e shqiptarë”, është shprehur ai për mediat italiane.