Vrasja e shoferit të Xhafës, zbardhen dëshmitë e familjarëve: Nuk kemi vënë re shqetësime tek ai

Dy ditë pas vrasjes së shoferit të ministrit Xhafa, Shkëlzen Qordja, grupi hetimor ka marrë në pyetje familjarët e të ndjerit, por edhe personelin e Gardës së Republikës, ku punonte prej Marsit të 2017-s. Sipas dëshmive të kolegëve të 31-vjeçarit, në momentin që ndodhi vrasja nuk u dëgjuan të shtëna.
Pas vetëvrasjes të kryer në ambientet e Gardës së Republikës të Shkëlzen Qordja, grupi hetimor mori në pyetje familjarët e të ndjerit. Ata u shprehën se nuk kanë patur dijeni nëse Qordja ka pasur konflikte me persona të tjerë. ‘E kemi parë ditët e fundit, por nuk kemi vënë re ndonjë shqetësim tek ai. Nuk mund të kemi një shpjegim pse ndodhi’, theksuan familjarët.
Ish-shoferi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, sipas policisë i ka dhënë fund jetës në rrethana misterioze. Sipas dëshmive të shokëve të ngushtë të Shkëlzen Qordjas, ai kishte festuar ditën që ndodhi krimi, deri në orën 6 të mëngjesit.
Pas disa orësh, i riu u gjet i pajetë me një plumb në kokë brenda automjetit të tij në garazhin e Gardës së Republikës. Pavarësisht se grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së ambienteve të Gardës, përsëri në vendin, ku 31-vjeçari u gjet i pajetë nuk ka kamera sigurie.
Sipas dëshmive të efektivëve të gardës që ishin në detyrë mesditën e 30 Qershorit, ata nuk kishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, gjë që do të përcaktonte saktë edhe momentin e kryerjes së aktit.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Qordja është vetëqëlluar në pjesën e djathtë të kokës dhe plumbi i ka shkaktuar dëmtime të shumta në kokë, ndërsa në automjet u gjendën tre gëzhoja. Prokuroria ka sekuestruar edhe telefonin e Shkëlzen Qordjas për të zbuluar komunikimet e fundit që 31-vjeçari kishte pasur pak çaste se të vriste veten.