Vjen reagimi i fortë ndërkombëtar për Ramën, “Europa Nostra”: Mos e prekni Teatrin!

Organizata “Europa Nostra”, që cilësohet si zëri i Trashëgimisë Kulturore në Evropë, i ka drejtuar një letër publike kryeministrit të vendit, Edi Rama, ku i ka shprehur shqetësimin e tij për shembjen e Tetarit Kombëtar, duke i kërkuar që ta rishikojë edhe një herë këtë vendim.
Në letrën zyrtare ai shkruan ndër të tjera se “ Tetari Kombëtar, i ndërtuar më 1938 nga arkitekti italian Giulio Berte, është një ndër monumentet më të rëndësishme kulturore në Tiranë, dhe një ndër hapësirat publike dhe sociale më të rëndësishme të qytetit. Tetari është një shembull i arkitekturës moderne italiane nga ajo periudhë dhe është e vetmja trashëgimi kulturore e mbijetuar në qytet”.
Në respekt të kësaj, ne nuk jemi dakord me çfarëdo mendimi që shprehet se kjo ndërtesë ka pak ose aspak vlerë historike, kulturore apo sociale. Në të kundërt, Europa Nostra beson se vlerat e shquara europiane të kësaj prone publike, i tejkalon përfitimet afatshkurta që duhet të fitohen nga kjo prishje”, thuhet në letër.
“Europa Nostra ka interes të veçantë në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, dhe prej vitesh i ka ndjekur nga afër zhvillimet aty. Ekzaktësisht, në vitin 2013 dhe 2018 Amfiteatri Romak në Durrës dhe Kisha post-bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq, janë përfshirë në listën e “7 sitet trashëgimore më të rrezikuara” në Europë. Ne gjithashtu po ndjekim nga afër zhvillimet në Berat dhe Gjirokastër, të përfshira në “Trashëgiminë Botërore të UNESCO”.
“Pavarësisht rrethanave të vështira, ne kemi marrë mbështetje nga zhvillimet pozitive në secilin nga këto site trashëgimore, falë vullnetit të autoriteteve shqiptare për t’u futur në dialog me të gjitha palët e interesuara, për të marrë në konsideratë kërkesat e secilës palë. Duke pasur parasysh këtë, ne ju bëjmë thirrje që të përdorni pozicionin dhe influencës tuaj, për të mbrojtur Teatrin Kombëtar të Shqipërisë”, përfundon letra drejtuar Ramës.

Letra e plotë
Letra e plote qe Organizata prestigjioze Europiane EUROPA NOSTRA, praktikisht Zëri i Trashëgimisë Kulturore në Evropë, i dërgon Kryeministrit të Shqipërisë ruajtjen e Teatrit Kombëtar!
z. Edi Rama
Kryeministër i Shqipërisë
Zyra e Kryeministrit
Bulevardi Dëshmorët e Kombit
Tiranë
Hagë, 18 korrik 2018
Lënda: Trashëgimia në rrezik – Kërkohet mbështetje
Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Tiranë, Shqipëri
I dashur z. Rama
Europa Nostra (Europa Jonë) – Zëri i Trashëgimisë Kulturore në Europë dëshiron t’ju shprehë shqetësimin e sinqertë në lidhje me vendimin alarmues për shembjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, një objekt trashëgimie me rëndësi kulturore dhe arkitekturore të madhe për Europën.
Teatri Kombëtar, i ndërtuar më 1938 nga arkitekti italian Giulio Berte’, është një nga qendrat kulturore më të spikatura të Tiranës dhe një hapësirë sociale dhe publike e rëndësishme për qytetin. Teatri është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës moderne italiane nga kjo periudhë kohore dhe është e vetmja ndërtesë e këtij lloji që ekziston në Shqipëri. Është një nga monumentet e fundit historike që kanë mbijetuar në kryeqytet.
Teknika e ndërtimit e përdorur dhe elementët strukturorë janë me rëndësi historike unikale dhe përfaqësojnë një pikë kulmore në zhvillimin e urbanistikës së Tiranës. Mbrojtja e këtij tipi historik arkitekture është me rëndësi themelore, pasi përfaqëson një pjesë të pazëvendësueshme të trashëgimisë së vendit dhe ruan një vend të veçantë në kujtesën kolektive të së shkuarës së tij.

Në këtë këndvështrim, ne nuk pajtohemi me mendimin se kjo ndërtesë ka pak ose aspak vlerë historike, kulturore apo sociale. Përkundrazi, Europa Nostra beson se vlera e spikatur europiane e kësaj prone publike tejkalon çdo përfitim afatshkurtër që mund të vijë nga shkatërrimi i saj.
Europa Nostra ndan të njëjtin shqetësim, tashmë të shprehur nga ndaj jush nga Ana Tostoes, kryetare e Docomomo International, në letrën e saj drejtuar vendimmarrësve të rëndësishëm më 12 prill 2018. Europa Nostra gjithashtu i bashkohet në solidaritet grupit të respektuar të specialistëve të restaurimit, profesionistëve dhe akademikëve në fushat e shkencës dhe kulturës, si edhe të shumë anëtarëve aktivë të shoqërisë civile që janë shprehur me kaq vendosmëri për të mbrojtur Teatrit Kombëtar nga shembja.
Ndërkohë që e kuptojmë nevojën që ka kryeqyteti shqiptar për një teatër të ri, që plotëson standardet ndërkombëtare, ne nuk mund të mbështesim asnjë propozim që shkatërron teatrin ekzistues.
Ne i kërkojmë Qeverisë Shqiptare, Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Kulturës, si edhe të gjithë palëve të tjera të përfshira, të rikonsiderojnë vendimin e tyre për të shembur këtë monument Europian dhe të shqyrtojnë mundësinë të ofrojnë, të paktën, rinovimet më bazike, për ta sjellë teatrin aktual në standarde.
Europa Nostra ka një interes të veçantë për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe prej shumë vitesh i ka ndjekur nga afër zhvillimet atje. Në 2013 dhe 2018, respektivisht, amfiteatri romak në Durrës dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë e Vithkuq, u përfshinë në listën e “Shtatë Objekteve më të Rrezikuara” të trashëgimisë në Europë. Ne gjithashtu po ndjekim nga afër zhvillimet në qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, të listuara si Trashëgimi Botërore nga UNESCO.
Pavarësisht rrethanave të vështira, ne kemi rifituar siguri nga zhvillimet pozitive në secilën prej këtyre qendrave, falë gatishmërisë së sinqertë të autoriteteve shqiptare për të hyrë në dialog me të gjithë palët e interesuara, për gjetjen e zgjidhjeve që respektojnë kërkesat e secilit rast.
Me këto në mendje, ne ju bëjmë thirrje të përdorni pozicionin tuaj të nderuar dhe ndikimin pozitiv për të mbrojtur Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.
Juaji sinqerisht
Prof. Dr. Hermann Parzinger
President Ekzekutiv
Europa Nostra

letra