Terrori policor në Rradhimë, flet vjehrri i të plagosurit: I kanë qëlluar në prani të fëmijëve!

Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja në Radhimë, ku një 38-vjeçar që ishte shpallur në kërkim, ka shkëmbyer zjarr me policinë dhe më pas është plagosur e arrestuar.
Në një prononcim, vjehrri i Gaqo Gjini, baba i dy fëmijëve, hedh poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj dhëndrit të tij.
Në një lidhje direkte për “News 24” vjehrri i të arrestuarit, (person me precedent penal për një grabitje të një banke në 2016-ën, për plagosje të një personi në Vlorë, si dhe për armëmbajtje pa leje) tha se 38-vjeçari nuk kishte lidhje me krimin.
Ai pohoi se dhëndri i tij gjente punë ku të mundej, ndërsa nuk kishte me se të ushqente fëmijët. Po ashtu vjehrri i Gjinit nuk i kurseu akuzat për ish-drejtorin e Policisë së Vlorë, Jaeld Çela, (i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në trafikun ndërkombëtar të drogës me bandën e Habilajve), ndërsa shtoi se gjatë kohës së tij, dhëndri u shpall në kërkim.
“Në shtëpi Gaqo Gjini ka qenë me gruan dhe fëmijët. Janë terrorizuar. I kanë qëlluar në prani të fëmijëve. Gaqua nuk ka qenë i fshehur. Ai nuk ka plagosur asnjë person dhe nuk ka grabitur asnjë bankë. Ai ka qenë në shtëpi si çdo ditë”, ka thënë ai.

Më tej vjerri tha se nuk dinte asgjë se si ndodhi ngjarja. “Ai s’ka bukë për darkë. Ne s’dimë gjë fare, tani erdhëm. Tani e morëm vesh nga vajza që aty kishin hyrë 500 policia në shtëpi. E shpallën në kërkim kur ishte ai shefi i degës, i pari, ai i degjeneruari që është shpallur në kërkim.
Vajzën e gjetëm pa ndenja, me dy fëmijë të mitur. Ai s’ka grabitur asgjë, le të thonë ça të duan. Dhëndri ka rreth 6 vjet e ca në këtë banesë. Në atë banesë jeton vajza me dhëndrin. Ku ka gjetur punë ka punuar, ku të gjente punonte”, tha vjehrri.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë, të mbështetura nga forcat speciale RENEA, në zbatim të një plani masash për kapjen e një personi në kërkim, ishin duke kryer operacion në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim Gaqi Gjini, 38 vjeç.
I kërkuari ka rezistuar, duke tentuar të godasë me mjete prerëse një prej punonjësve të Policisë. Efektivi në kushtet e vetëmbrojtjes e ka neutralizuar, duke e goditur me armë një herë në këmbë.
38-vjeçari ishte shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Kundërshtim i punonjësve të policisë”, dhe “Armëmbajtje pa leje”.