Tërmeti shemb banesa në Thumanë, familjarët në rrugë

Lëkundjet e tërmetit gjatë dy ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha në Thumanë të Krujës. Bëhet e ditur se, tre banesa janë shembur plotësisht nga tërmeti i fuqishëm i ditës së mërkurë, por fatmirësisht nuk ka patur lëndime në njerëz. Po ashtu, mjaft banesa të tjera janë dëmtuar rëndë, ndërsa familjarët kanë frikë të futen brenda në shtëpi si pasojë e lëkundjeve të vazhdueshme të tërmetit.
Të gjithë familjarët kanë dalë nga banesat nëpër rrugë nga frika e tërmetit. Familjarët që kanë pësuar dëme të mëdha nga tërmeti kanë kërkuar ndihmë në Njësinë Administrative të Thumanës, por Bashkia e Krujës nuk u ka dhënë asnjë ndihmë dhe asnjë mundësi strehimi. Shtëpitë e shembura nga tërmeti janë të pabanueshme, ndërsa familjarët ndodhen në mes të katër rrugëve.
Tërmeti ka lënë pasoja dhe panik tek shumë familje. “Fëmijët kanë qenë duke luajtur në krevat, por në momentin e tërmetit janë futur poshtë krevatit, sepse do t’i binin tjegullat e do t’i kishin mbytur fëmijët. Akoma dridhemi”, shprehet një grua.
Dëmtime nga lëkundjet e tokës pati edhe një pallat 5-katësh në Thumanë të Krujës. Të gjithë hyrjet e ndërtesës kanë pësuar plasaritje dhe çarje muresh. Shumë banorë shprehen se ndjehen të rrezikuar në banesat e tyre në rast të rënies së një tërmeti tjetër, sipas parashikimeve të sizmologëve.

Edhe në Kurbin, tërmeti ka shkaktuar dëme të mëdha. Disave u mori pasurinë më të madhe, shtëpinë, por familjet që u dëmtuan në Kurbin ndihen me fat që u kanë shpëtuar familjarët. Dy banesa në fshatin Selitë janë shembur thuajse plotësisht, duke u bërë të pabanueshme e të tjera kanë pësuar dëmtime. Ndue Gega me banim në këtë zonë, thotë se fëmijët ishin në gjumë kur ra tërmeti.
Banesa e tij është e pabanueshme, dëmtimet nuk mungojnë në çdo anë të murit. I zoti i shtëpisë bashkë me familjen, tani e tutje do të qëndrojnë në kasolle. Ndue Gega tregon dëmet në banesën e tij, ndërsa na thotë se në momentin e tërmetit njëri nga fëmijet ka qenë në gjumë dhe ka shpëtuar për mrekulli.
“Shyqyr që më shpëtoi fëmija, sepse e kam pasur në gjumë. Në momentin e parë e mora fëmijën dhe e nxorra jashtë. Shyqyr që nuk i ranë tullat kokës”, thotë Ndue Gega.
Gega apelon për ndihmë, pasi banesa e tij është bërë e pabanueshme dhe në këto kushte është i detyruar të qëndrojë në kasolle.”Shpresoj tek Zoti, tek Bashkia e shteti”, thotë ai.
Lëkundjet sizmike të së mërkurës ishin të forta edhe në rajonin e Lezhës.
Në 24 orët që pasuan tërmetin e së mërkurës janë shënuar 412 aktivitetet sizmike, me intensitet të ulët dhe thuajse të pandjeshëm.
Mëngjesin e së enjtes, tërmeti me intensitet më të lartë ka qenë ai i orës 6 të mëngjesit, 3.9 i shkallës rihter në zonën e Gjirit të Lalëzit. Edmond Dushi, sizmolog në Institutin e Gjeoshkencave thotë se aktiviteti sizmik vijon të jetë aktiv.

“Vijon të jetë në të njëjtën zonë me të njëjtat karakteristika si tërmet dhe intensiteti i goditjeve ka ardhur duke u zvogëluar, nuk kemi më atë shpeshtësi që kishim, por ka qenë më i rrallë dhe i distancuar në kohë, nuk kanë qenë aq të shpeshta.
Zona është ende aktive, por ka zona të tjera tektonike ngjitur, por duke parë vetëm për spotin në fjalë, duke parë që aktiviteti ka ardhur duke u zvogëluar qoftë në magnitutë, qoftë në frekuencë të ndodhjes së ngjarjeve, mendoj që në këtë moment është duke u shuar”, thotë sizmologu Edmond Dushi.
Në panik, pas lëkundjeve të para njerëzit kanë tendencën të lënë shtëpinë apo vendin e punës për të nxituar të dalë në ambientet e jashtë të godinës. Në fakt ekspertët rekomandojnë që në raste të tilla të ruhet qetësia, dhe të mos tentoni të dilni.
Tërmeti vazhdon të jetë aktiv, mbi 400 lëkundje në 24 orë
Tërmeti që goditit të mërkurën Gjirin e Lalzit, dhe u ndje në thuajse të gjithë vendin, duke shkaktuar panik, vazhdon të jetë aktiv. Në 24 orë ekspertët e sizmikës kanë regjistruar mbi 400 pasgoditje dhe parashikimet flasin për të tjera lëkundje deri në shuarje të vatrës. “Duhen të paktën edhe 2-3 ditë të shuhet, nuk do jenë të forta”.
Magnituda 5.1 që shënoi tërmeti i së mërkurës, futet tek tërmetet e fortë. Por si mund të mbrohemi nëse vendi goditet sërish nga një tërmet i fortë?
“Menjëherë të vendosesh në një objekt që të jetë i mbrojtur nga objektet e tjera që mund të bien. Pastaj mbasi të heqësh të gjitha, elektricitetin, ujin, që të jenë të siguruara sepse ndonjëherë pasojat e tërmeteve janë dytësore si pasojë e zjarreve ose ujit”.
Durrësi futet në një nga zonat me aktivitet sizmik të lartë. Tërmeti i fundit i konsideruar i fortë është regjistruar 6 vite më parë me magnitudë 4.2.
Tërmetet ndodhën në të gjithë territorin e Shqipërisë, kjo pasi vendi ynë është një territor aktiv.

termeti2

termeti3