Studiuesi italian i historisë shqiptare Paolo Muner i bashkohet protestës: S’mund të lejohet prishja e Teatrit

“Do të doja vetëm të kujtoja se kryeqyteti juaj i bukur, Tirana “ime”, nuk ka shumë ndërtesa që kanë një moshë më se 80 (tetëdhjetëvjeçare), nëse përjashtohen – vetëm për pak – Ministritë dhe sigurisht Xhamia e Et’hem Beut. Nuk mund të lejohet luksi të shkatërrohet një nga këta pallate të pakta që mund të konsiderohen “pothuajse të lashta”. Kështu u shpreh studiuesi italian i historisë shqiptare Paolo Muner para protestuesve kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar ditën e djelë në Tiranë.
Studiuesi Muner theksoi veçoritë arkitektonike të godinës së tetarit duke u shprehur se:
“Si italian, ndjej shumë keqardhje kur mendoj që mund të shkatërrohet një copëz tjetër e kryeqytetit të mrekullueshëm që ishte projektuar nga arkitektët më të mirë italianë të kohës.
Jemi në zonën e Ministrive, në mes të pallateve të vjetra të projektuara nga arkitektat italianë, në të majtë kemi pallatin e ndërtuar si seli të Assicurazioni Generali të Triestes, për të cilin jam munduar të bind prej vitesh pronarët e vjetër për të kërkuar kthimin e pronës dhe për ta restauruar në mënyrë të përshtatshme.

Gjërat kanë shkuar ndryshe, por restaurimi, më në fund është bërë, me një rezultat, sipas meje shumë të bukur, edhe pse nuk jam arkitekt. Në të njejtën mënyrë, në vend të shkatërrimit, restaurimi i Teatrit Kombëtar mund të kishte krijuar, mund të krijojë, një ball rrugor, të rrugës që quhej Rruga e Sahatit”.
Paolo Muner i ndodhur në Tiranë për konferencën e zhvilluar mbi Aleksandër Moisiun, aktorin e madh me origjinë shqiptare të lindur në Trieste u shpreh se projekti i teatrit kombëtar i ngjan projektit të një arkitekti të famshëm vjenez, i cili kishte dashur të ndërtonte të njëjtën godinë në venecia.
“Ja pra, e dimë që Moisiu nuk ka arritur në kohë të shikojë Teatrin Kombëtar, sepse ka vdekur më herët. Por mund t’ju them që do t’i kishte pëlqyer, sepse kam parë dhe kam studiuar projektin e një vile, vizatuar nga një arkitekt shumë i famshëm vjenez, që do të kishte dashur të ndërtojë në Venecia, e që na ofron disa ngjashmëri stilistike. Pastaj Moisiu nuk do të kishte pranuar këtë shkatërrim thjesht për një fakt kulturor, ashtu siç nuk po e pranoni ju, ashtu siç nuk po e pranoj unë”, u shpreh studiuesi italian Muner.