Shkrumbohet Athina, shpallet gjendja e jashtëzakonshme, numri i viktimave mund të arrijë qindra

Trupat e fundit pa jetë u nxorrën nga deti, deri dhe 4 milje nga brigjet e Rafinas, në orët e para të këtij mëngjesi.
Ndërkohë, dyshohet se bilanci përfundimtar do të përfshijë më shumë të vdekur, pasi pranë shërbimeve përkatëse janë bërë dhjetra telefonata nga të afërm për të deklaruar persona të zhdukur.
Gjithë viktimat janë gjetur në zonën ndërmjet Rafinas dhe Nea Makrit, posaçërisht në Mati dhe Kokkino Limanaki. Ata ishin bllokuar për shkak të flakëve në banesa apo makina, apo u përpoqën të largohen nëpërmjet detit, ku u mbytën.
Për fat të keq, shumë prej viktimave janë fëmijë, mes të cilëve dhe një foshnje 6 muajshe.
Nga të dhënat e deritanishme, numri i të plagosurve ka shkuar në 150, 11 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Mes të plagosurve janë edhe 16 fëmijë, me djegie apo lëndime të tjera.
Me agimin e ditës forcat ajrore kanë nisur sërish operacionit.
Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Atikën Perëndimore dhe atë lindore, ndërkohë që ka kërkuar edhe ndihmën e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, që u përgjigj menjëherë.
Avionë zjarrfikës nga Spanja dhe efektiva nga Qipro pritet t’u bashkohen operacioneve.
Presidenca e republikës njoftoi se anullohet pritja e sotme që jepet tradicionalisht çdo 24 korrik, me rastin e vendosjes së Demokracisë në Greqi.