Shkrimtari i njohur: Po kthehet diktatura, nëse Teatri shembet do të largohem nga Shqipëria!

“Miratimi i ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar ka pasur një impakt të fortë tek opinioni publik. Zemërimi, dëshpërimi dhe zhgënjimi reflektohej në fjalët e portretet e atyre që ishin pranë teatrit për të vazhduar rezistencën e tyre. “Jemi zgjuar në diktaturë!”, shprehet shkrimtari Rudi Erebara, i cili gjatë ditës së enjte qëndroi deri në orët e vona (22:30) para Parlamentit. erebaraShkrimtari rrëfen për “Shekullin” se ai ka kontaktuar të gjitha ministritë e Evropës dhe mesa duket edhe pse fjala e tij nuk i bie në vesh qeverisë, si laureat i Çmimit Evropian të Letërsisë për vitin 2017, por edhe si intelektual ka bërë që OSBE-n të reagojë. Erebara tregon ndër të tjera se po përpiqen me të gjitha mënyrat të ndalojnë cenimin e teatrit. Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka kontaktuar Institutin Urbanistik të Lacio-s, dhe këta të fundit ditën e djeshme gjatë orës 2 e kanë futur çështjen në rend të ditës. Shkrimtari shprehet se rezistenca do të vazhdojë dhe u bën thirrje qytetarëve që të mobilizohen para se të jetë vonë…
Ditën e djeshme gjatë protestës së përditshme në mbrojtje të teatrit, shkrimtarit dhe intelektualit Rudi Erebara teksa i duhej të mbante një fjalim, i dridheshin duart. Gjatë gjithë ditës së enjte, ai ishte para Parlamentit deri në orët e vona për të parandaluar miratimin e ligjit që shemb Teatrin Kombëtar K. “Po prishet historia e kombit dhe përgjegjësia për këtë i bie atyre që kanë votuar Edi Ramën.
Bëhet fjalë për një histori të madhe të kombit. Unë këtë që ndodhi e kam cilësuar tradhti kombëtare, kjo është gjëja më e rëndë që mund t’i ndodhi kombit. Sot është një ditë e zezë, është më e zezë se viti 1997.

Qeveria mori një firmë private, ose firma private mori qeverinë, futi një ligj, i degjeneruan deputetët dhe votuan të gjithë në rresht. Nuk votoi vetëm një nga deputetët socialist, Pandeli Majko, të cilit i kam bërë sot ftesë publike që të vijë këtu. Janë 75 vota dhe në qoftë se 75% e popullsisë janë kundër atëherë ne tërhiqemi, në të kundërt socialistët ata që i kanë votuar të vinë këtu”, shprehet shkrimtari.
I pyetur se çfarë është ajo që i step njerëzit të reagojnë, përfshirë edhe 74 deputetë që ngrenë kartonin për të shembur të vetmin teatër kombëtar, Erebara përgjigjet: “Sot jemi zgjuar në diktaturë. Nuk është frika ajo që i step njerëzit, por janë interesat. Në përgjithësi opinioni publik shqiptar është i prirur drejt interesave. Ne sot në përgjithësi si popull po vuajmë të ardhurat e pamerituara. Ne kemi një problem gjigant me drogën dhe ne e anashkalojmë këtë punë, e fshimë komplet nga mendja.
Është pikërisht puna e drogës që e ka çuar teatrin në këtë ditë”, shprehet shkrimtari. Ndërsa lidhur me vendimin që do të marrë Presidenti lidhur me ligjin thotë se: “Jam i bindur që zoti Ilir Meta nuk do ta dekretojë ligjin, por kjo vetëm sa e shtyn këtë procedurë. Ne nuk kemi aktualisht asnjë mjet përveç opozitës, e cila duhet të bojkotojë ligjin siç bëri dje.
Më erdhi pak keq, që të enjten ata dolën bashkë me socialistët mbrapa dhe nuk erdhën tek ne. Ndoshta donin të shmangnin ndonjë provokim e megjithatë ata e bënë detyrën, votuan kundra”. Erebara shprehet edhe lidhur me atë që po ndodh me monumentet dhe trashëgiminë kulturore në vendin tonë, si tregon këndvështrimin e tij për projektin ri të propozuar për teatrin. “Unë u kam bërë thirrje atyre zotërinjve, që punojnë në institucionet që merren me mbrojtjen e trashëgimisë dhe monumenteve të kulturës, se çfarë ka bërë ministrja e Kulturës, s’di të them.

Ndërsa, lidhur me projektin e ri, unë e kam parë por ai nuk është për teatër, ai është hyrja për të dalë te kullat. Ne luftën e kemi bërë, do të vazhdojmë ta bëjmë por kam frikë se në qoftë se qeveria socialiste nuk bindet se po shkatërron trashëgiminë kjo do të jetë një luftë e humbur”.
Erebara thekson se dita e premte është një ditë që shënon diktaturën në vendin tonë. Ai rrëfen se: “Kjo nuk do të ndodhte në asnjë vend demokratik. Unë kam jetuar në Nju Jork, 5 vetë kur donin të bllokonin një firmë, 200 milionë dollarë, vetëm për hijen që u binte mbi shtëpinë dykatëshe, ia arrinin qëllimit. Dilnin dhe bënin protestë një javë dhe e bllokonin. Shteti i dëgjon edhe ka frikë, ne na kanë vjedhur pronën që në 1944 dhe ne në progresion matematik jemi varfëruar familjarisht, brez pas brezi”. Edhe pse ligji që shemb TK u miratua, shkrimtari rrëfen se kjo lëvizje nuk ka kaluar pa efekte anësore tek pushtetarët. “Mendoj se kjo lëvizje e ka shkundur qeverinë, por ligji u miratua, sepse kjo është gjuha e dhunës, e bandave.
Bandat nuk gjykojnë për të nesërme apo pasnesërme. Mendoj se në vazhdim deputetët socialistë do të reagojnë por zhdukjen e historisë, sot nuk e justifikon asgjë”. Shkrimtari shprehet pesimist për faktin se një ditë do të ketë një ndëshkim ligjor për këtë që po ndodh përtej përgjegjësisë morale. “Në Shqipëri janë vjedhur miliarda dhe nuk është dënuar njeri”. Lidhur me mosreagimin e ndërkombëtarëve ai tregon se : “Të enjten, kur u zhvillua edhe protesta parlamentit, një oficer i OSBE më takoi dhe më tregoi se gjithçka po monitorohet”.
Ai rrëfen për “Shekullin” se ka dërguar email personal në të gjithë ministritë e Evropës, si laureat i Çmimit Europian të letërsisë.

Erebara rrëfen gjithashtu se Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka dërguar nëpërmjet email-it dje një qëndrim të sajin në Institutin Urbanistik të Lacios. “Isha vetë unë që e nisa atë email”, shprehet Erebara, duke treguar optimizëm për faktin se ky Institut e ka futur në rend të ditës, ditën e djeshme në orën 2 studimin e kësaj çështje. “Ata do të bllokojnë dhe do t’i kërkojnë Ambasadës Italiane dhe Institutit Italian të Kulturës të mbajnë një qëndrim për këtë punë”, shton Erebara, duke e konsideruar heshtjen e përfaqësuesve të këtyre institucioneve si të turpshme.
Shkrimtari i vendosur për të vazhduar rezistencën në mbrojtje të kësaj kauze tregon edhe lidhjen e tij me teatrin, si qytetar i Tiranës. “Unë jam rritur në teatër. Babai im më sillte shpesh në teatër. Unë madje kam bërë dhe prova në teatër, në 1989 kur do të hyja në shkollë për regji teatri. Teatri për mua është i dashur, shtuar këtu edhe pjesën si frekuentues i shfaqjeve në këtë teatër. Për mua është shumë e rëndësishme, jashtëzakonisht e rëndësishme, që një teatër të ketë histori. Teatrot pa histori nuk kanë emër. Ku është dëgjuar ndonjëherë që një teatro pa histori të ketë emër”.
Erebara tregon edhe përjetimet e tij pas miratimit të ligjit që shemb teatrin. “E kam kaluar shumë keq atë që ndodhi. Nuk kam fjetur gjithë natën, jam thellësisht i dëshpëruar. Po u prish teatri do ta shikoj seriozisht të iki nga ky vend, sepse fëmijët e mi nuk do të kenë çfarë të shikojnë. Ku tjetër të shkojnë ata në Tiranë? Ose mund të shkosh tek liqeni, ose këtu në qendër”./Shekulli/