Ronaldo refuzon 32 milionë euro në vit, e ardhmja duket e vendosur

Cristiano Ronaldo thuhet të ketë refuzuar ofertën me shumë zero për të qëndruar te Real Madrid.
Portugezi ka refuzuar një ofertë me vlerë 32 milionw euro në vit nga Los Blancos, sipas Tuttosport.
Pesë herë fituesi i Ballon d’Or vuri në dyshim të ardhmen e tij pasi sugjeroi se mund të largohej nga Madridi pas fitores së Champions League në maj.
Ish-klubi i Ronaldo-s, Manchester United është favorit për të blerë yllin e futbollit botëror, por raportet e fundit sugjerojnë se ai mund të shkojë edhe tek Juventus ose Paris Saint-Germain.
Agjenti i lojtarit Jorge Mendes thuhet të jetë duke planifikuar largimin e klientit të tij nga Real.
Më 26 maj, pas triumfit në Champions League, sulmuesi portugez Cristiano Ronaldo lëshoi një deklaratë bombë, duke thënë se e ardhmja e tij është larg Madridit. Pas eliminimit edhe nga Botërori, tashmë për 5 herë fituesin e Topit të Artë do të nisin “dhimbjet e kokës” për të vendosur realisht se çfarë do të bëjë, do të qëndrojë te Real Madrid apo do të luajë në një klub tjetër? Dhe, mbi të gjitha, a do të ketë një skuadër që do të kënaqë pretendimet e tij financiare por edhe të skuadrës “merengues”?

Ekipet kryesore në Europë kanë nisur të lëvizin, PSG mbi të gjitha, por edhe kampionët e Italisë nuk kanë mbetur pas dhe të paktën kanë vendosur të tentojnë të bisedojnë me CR7, për ta sjellë në Torino. Marotta është i vetëdijshëm se ky do të jetë një “mision i pamundur”, por për ta realizuar këtë gjë në fushë ka zbritur vetë John Elkann, një nga drejtuesit e Juventusit, që ka takuar Jorge Mendez, menaxherin e portugezit. Një takim që ka bërë të gjithë tifozët bardhezinj të ëndërrojnë.
Por pengesat janë të shumta, duke nisur nga klauzola që Ronaldo ka me Real Madrid dhe presidenti Florentino Perez nuk ka ndërmend të tërhiqet. Por nëse një lojtar si CR7 kërkon të largohet, atëherë edhe një president është i pafuqishëm ta ndalojë, por pa klauzolën 1 miliardë euro, sa kushton portugez? Natyrisht që bëhet fjalë për një shumë që mund të shkojë deri në 200 milionë euro dhe që bardhezinjtë po i mbledhin nga shitja e mjaft të rinjve dhe jo vetëm.
Më tej është çështja “Ronaldo”, që te Reali paguhet 21 milionë euro në sezon dhe tani kërkon 30 milionë për të qenë më i paguari në botë. Pra, shumë pengesa, që Marotta me shokë do të përpiqen t’i kalojnë një e nga një.