Reagimi i PD: Rama po e bllokon reformën në Drejtësi, që ai dhe miqtë e tij të mos hetohen

‘Edi Rama po zhbën reformën në drejtësi për të rikthyer institucionet e kalbura të sistemit të vjetër të drejtësisë’. Deklarata është bërë gjatë pasdites së sotme nga Këshilltari Ligjor i PD-së, Gazmend Bardhi.
Në deklaratën e tij, ish-ministri i Drejtësisë Bardhi shprehet se Rama po e bllokon reformën në Drejtësi, që ai dhe miqtë e tij të mos hetohen.
‘Që Tahiri, Xhafaj, Gjiknuri, Ahmetaj, Veliaj, Dako, Sejdini, Habilajt dhe Balilajt t’i shpëtojnë drejtësisë’, tha Gazmend Bardhi gjatë deklaratës së tij nga selia e PD.
Deklarata e plotë e këshilltarit ligjor të PD, Gazment Bardhi
Ministrja e Drejtësisë u përpoq të mbrojë me propagandë dhe sulme kundër opozitës përpjekjen e Edi Ramës për të bllokuar reformën në drejtësi me qëllimin e vetëm bllokimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të hetojë qeveritarët e korruptuar dhe krimin e organizuar.
Ligji për Shkollën e Magjistraturës është provë e qartë sesi Edi Rama po zhbën reformën në drejtësi, sepse ky ligj është kthim mbrapa tek institucionet e kalbura të sistemit të vjetër të drejtësisë.
Nuk bëhet fjalë për disa studentë, por nëpërmjet këtij ligji, Edi Rama kërkon t’i japë fuqi për emërimin e gjyqtarëve Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një institucion që reforma në drejtësi e shkriu si ngrehinën më të korruptuar në vend.

Rikthimi i Edi Ramës tek institucionet e kalbura të drejtësisë pengon ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga të cilët varet ngritja e Prokurorisë dhe Gjykatës Antikorrupsion.
Edi Rama po bllokon zbatimin e reformës në drejtësi që ai vetë të mos hetohet për korrupsion, për pastrim parash, për lidhje me krimin e organizuar. Që Tahiri, Xhafaj, Gjiknuri, Ahmetaj, Veliaj, Dako, Sejdini, Habilajt dhe Balilajt t’i shpëtojnë drejtësisë.
Këtij projekti po i shërben edhe konfirmimi në detyrë i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Përdorimi politik i vettingut po rrënon besimin e shqiptarëve tek reforma në drejtësi.
Në vend të akuzave dhe sulmeve të dala boje kundër opozitës, Edi Rama duhet t‘u thotë shqiptarëve se pse vettingu i kapur prej tij ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, pavarësisht rekomandimit të Operacionit ndërkombëtar të Monitorimit për shkarkimin e tyre.
Si po pastrohet pallati i drejtësisë, kur vettingu i kapur prej tij konfirmoi në detyrë:
• Gjyqtarë dhe prokurorë që kanë deklaruar vila në pronësi të fëmijëve të tyre të mitur, të dhuruara nga prindërit pensionistë;
• Gjyqtarë dhe prokurorë të cilëve u janë zbuluar prona në bregdet në emër të vëllezërve
• Gjyqtarë e prokurorë që kanë blerë pasuri të paluajtshme duke u marrë borxh familjarëve pa të ardhura dhe që banka u ka sekuestruar shtëpinë për mospagim kredie.
• Gjyqtarë e prokurorë të kapur në flagrancë në përgjime në afera korruptive.
PD nuk do të pranojë bllokimin e reformës në drejtësi dhe kthimin tek institucionet e vjetra para reformës.
Kushtetuta, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, KLGJ, KLP, Prokuror të Përgjithshëm, SPAK dhe BKH sipas reformës. Kjo është rruga e daljes nga kolapsi dhe kapja politike e drejtësisë nga qeveria e korruptuar dhe e lidhur me krimin?