Plani i tmerrshëm i Luis Enrique, rrezikojnë De Gea dhe Sergio Ramos

Luis Enrique u prezantua të enjten zyrtarisht në pozicionin e trajnerit të përfaqësueses së Spanjës, me një listë prej 70 futbollistësh që ai ka në mendjen e tij, por gjithashtu edhe me një plan që synon përmirësimin taktik, dinamikën në fazën finalizuese, si dhe të qënit më agresiv në presionin pas humbjes.
Tekniku nuk ka shumë kohë në dispozicion, as për të reduktuar listën e tij prej 70 futbollistësh në vetëm 23 lojtarë, dhe as që të përmirësojë çdo gjë që dështoi në Kupën e Botës. Më datë 8 shtator Spanja do të ndeshet me Anglinë në Wembley, ndërsa tre ditë më vonë me Kroacinë në Martínez Valero de Elche. Dy gjysmëfinaliste në Botërorin e Rusi 2018.
Ishte vetë trajneri i ri i “Furisë së Kuqe” ai që deklaroi se do të ketë surpriza në listën e tij. Ish-tekniku i Barcelonës, ka identifikuar në masë të madhe mungesën e motivimit në shumë prej futbollistëve aktualë të kombëtares spanjolle. Ai vlerësoi Iniestan, por nuk ishte aspak optimist e pozitiv kur u pyet për portierin De Gea dhe as për Sergio Ramos. Në të dy rastet ai iu referua datës 31 gusht, kur do të bëjë publike listën përfundimtare të 23 futbollistëve të përzgjedhur.